Aktualitet

Dita e dytë e homazheve për Kryepeshkopin Anastas Janullatos/ Mitsotakis dhe 5 ministra grekë marrin pjesë, një delegacion përfaqësues pritet edhe nga Vatikani

 Ceremonia e varrimit do të bëhet të enjten e 30 janarit, ku Kryepeshkopit Anastas do t’i jepet lamtumira e fundit pas liturgjisë hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në orën 11:00.

29 Janar 2025, 09:22 Nga r.ll
Dita e dytë e homazheve për Kryepeshkopin Anastas Janullatos/
pamje nga homazhet

TIRANË- Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë do të mbahen edhe ditën e sotme homazhe për Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Në homazhet e sotme do të marrin pjesë të gjitha mitropolitë e vendit, përfaqësues nga ambasadat e huaja në vendin tonë, delegacion nga Vatikani, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, Patriarku i Izraelit, i Aleksandrisë dhe i Qipros si dhe përfaqësues nga nivelet e larta nga Kishat e Krishtera në mbarë botën. I pranishëm në homazhet e sotme pritet të jetë edhe kryeministri grek Mitsotakis dhe 5 ministra nga kabineti i tij qeveritar. Gjithashtu një delegacion përfaqësues pritet edhe nga Vatikani.

Trupi i pajetë i Kryepeshkopit ka mbërritur në vendin tonë pasditen e djeshme. Pasi mbërriti në pikën kufitare të Kakavijës ku u zhvillua një ceremoni nderimi, arkivoli iu drejtua Gjirokastrës ku u kryen homazhe në Kishën Ortodokse. Ceremonia e varrimit do të bëhet të enjten e 30 janarit, ku Kryepeshkopit Anastas do t’i jepet lamtumira e fundit pas liturgjisë hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në orën 11:00. Kryepeshkopi do të prehet në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, amanet i lënë prej tij. 

Kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të 25 janarit. Ai ndodhej prej 30 dhjetorit të 2024-ës i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë për shkak të një viroze stine. Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar.

vdekja e kryepeshkopit anastas janullatos

Sondazh

Poll