Sport

Reali parakaloi Atletikon, por Simeone e ka me Ancelottin!

Gjithçka filloi kur Diego Simeone nuk u shfaq i habitur nga kritikat e Celtas Vigos ndaj arbitrimit në ndeshjen kundër Real Madridit, duke deklaruar se bëhej fjalë për "episodet e 100 viteve të fundit".

20 Janar 2025, 17:38 Nga DOSJA
Reali parakaloi Atletikon, por Simeone e ka me Ancelottin!

SPANJE - Real Madridi dhe Atlético Madridi janë në një garë të zjarrtë për vendin e parë në LaLiga, dhe përplasja vazhdon të jetë e nxehtë edhe jashtë fushe. Gjithçka filloi kur Diego Simeone nuk u shfaq i habitur nga kritikat e Celtas Vigos ndaj arbitrimit në ndeshjen kundër Real Madridit, duke deklaruar se bëhej fjalë për "episodet e 100 viteve të fundit".

Carlo Ancelotti reagoi, duke thënë se ekipi i tij duhet të jetë një "gjemb i ngulur" për argjentinasin, ndërsa Dani Ceballos shtoi se Simeone ende nuk i ka kapërcyer humbjet në dy finalet e UEFA Champions League ndaj Realit në vitet 2014 dhe 2016.

Në stilin e tij, në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Bayer Leverkusen-it, Simeone nuk i la pa përgjigje trajnerin dhe mesfushorin e Realit: “Kurrë nuk jap opinion për atë që thonë kolegët e mi, thjesht i referohem kujtesës. Kur ata ishin në klube të tjera, mendonin ndryshe”, tha ai, duke rikujtuar deklaratat e Ancelottit për arbitrimin e një ndeshjeje kundër Real Madridit kur drejtonte Bayernin e Munihut. Ndeshja në fjalë ishte kthimi i çerekfinales së UEFA Champions League 2016/2017, që përfundoi me fitoren 4-2 të madrilenëve.

Diego Simeone nuk e la pa koment as Ceballos-in: “Kur ishte te Betisi mendonte ndryshe. Tani është shumë mirë”, u përgjigj ai. Në prag të ndeshjes kundër Leverkusenit, trajneri argjentinas theksoi se qëllimi i Atléticos është të arrijë në finalen e UEFA Champions League dhe ta fitojë atë për herë të parë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll