Aktualitet

Misteri i hedhjes së Policit nga pallati/ 'Shpërthejnë' reagimet në rrjet: Çfarë piste hetimi ka policia për ngjarjen?

Por për gazetarët, dhe aktivistët ngjarja ngre shumë pikëpyetje lidhur me shkaqet dhe rrethanat që detyruan Oficerin e Policisë të hidhej nga pallati.

18 Janar 2025, 21:34 Nga B.Z
Misteri i hedhjes së Policit nga pallati/ 'Shpërthejnë'
Azbi Spahiu

TIRANË - Hedhja e oficerit të Policisë, Azbi Spahiu nga lartësia e një pallati në Tiranë, është kthyer në kryefjalën e mediave së fundmi, duke shkaktuar polemika dhe reagime të ndryshme në rrjet. Ngjarja e rëndë u shënua pak ditë më parë në rrugën “Kongresi i Manastirit” ku në rrethana ende të paqarta oficeri i Policisë në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor, ra nga lartësia e një pallati dhe mbeti i plagosur.

Fillimisht u aludua se hedhja e oficerit të Policisë nuk ishte rastësore dhe u përfol për një presion psikologjik të mundshëm të ushtruar ndaj tij, por Agjensia e Mbikëqyrjes Policore përmes një reagimi zyrtar hodhi poshtë pretendimet se polici e ka kryer aktin nga ndonjë formë presioni apo ushtrim ndikimi të paligjshëm. AMP njoftoi se punonjësi i Policisë ka dhënë një deklarim me shkrim dhe nuk ngre asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, apo çdo formë tjetër presioni, shantazhi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj.

Lidhur me rastin të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili në një reagim në rrjete sociale, shkruante se nuk ka prova që ndonjë punonjës policie ka tentuar të vrasë veten për shkak të presionit për të mos zbatuar ligjin ndaj dikujt. Po ashtu Hoxha, theksoi se rasti në fjalë është i qartë dhe i dokumentuar duke i cilësuar polemikat për këtë ngjarje si një furtunë në gotë.

Por për gazetarët, dhe aktivistët ngjarja ngre shumë pikëpyetje lidhur me shkaqet dhe rrethanat që detyruan Oficerin e Policisë të hidhej nga pallati. Pas gazetares Klodiana Lala, Esiona Konomi,  drejtuesit të "Lëvizjes Bashkë" Arlind Qori dhe kreut të Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" Adriatik Lapajt,  kanë ardhur disa reagime të tjera nga të njëjtat fusha, të cilët ngrejnë dyshime se ngjarja nuk ka ndodhur rastësisht dhe se policia po fsheh provat.

Anëtari i Lëvizjes Bashkë, Kristjan Zoto shkruan gjithashtu se fakti që policia ende nuk ka një pistë hetimi për ngjarjen është një përpjekje e hapur për të mbrojtur një oligark të fuqishëm dhe për të fshehur dështimin e institucioneve.

Në një reagim në rrjete sociale, Zoto ngre pyetjen se përse nuk është publikuar asnjë provë apo rrethanë sesi ka ndodhur rënia e Policit, duke qënë se kanë kaluar disa ditë nga ngjarja.

Reagimi i plotë i Kristjan Zotos:

Edhe për gazetaren Ambrozia Meta ngjarja nuk është rastësore. Në një reagim në rrjete sociale, Meta gjithashtu bën thirrje Policisë të hetojë rastin dhe të japë versionin zyrtar, për atë që i ndodhi kolegut të tyre, Azbi Spahiu.

Reagimi i plotë Ambrozia Metës:

Një reagim ka ardhur edhe nga Pedagogu Ervin Goci, i cili ka ironizuar qasjen që Ministri i Brendshëm Hoxha ka pasur lidhur me rastin. Në një reagim në rrjete sociale, Goci shkruan se solidariteti që Hoxha ka treguar ndaj oficerit që ndodhet duke lënguar në spital është arsyeja pse qytetarët duhet të vendosim nëse do të dalin në protestën e thirrur ditën e hënë.

Reagimi i plotë i Gocit:

Edhe Aktivistja e Lëvizjes "Shqipëria Bëhet, Edona Haklaj ka reaguar në lidhje me ngjarjen. Haklaj ka kërkuar transparencë dhe drejtësi për Policin Spahiu, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve ti bashkohen protestës ditën e hënë në orën 17:00.

Reagimi i Plotë i Edona Haklaj:

Një tjetër reagim ka ardhur edhe nga faqa satirike Lolita Albania, e cila ka ironizuar reagimin e Agjensisë së Mbikëqyrjes Policore e cila shkruante se oficeri i Policisë, Azbi Spahiu, ka dhënë një deklarim me shkrim nga spitali dhe nuk ngre asnjë pretendim për ushtrim presioni apo shantazhi. "Lolita" ngre pikëpyetje mbi vërtetësinë e këtij veprimi teksa shkruan: "Si mundet një pacient i shtruar në reanimacion, me dëmtime të rënda të shtyllës kurrizore, pas një rënie nga kati i 11 të cilës i ka shpëtuar për mrekulli të fatit, të jetë në gjendje të shkruajë deklarata?"

Reagimi i plotë:

Rrethanat dhe shkaqet që çuan oficerin e Policisë të hidhet nga lartësia e Pallatit vijojnë të jenë ende mister, ndërkohë lidhur me ngjarjen një marshim protestë është thirrur nga aktivistët ditën e hënë në orën 17:00, me nisje nga Sheshi Skënderbej, për të vazhduar drejt Ministrisë së Brendshme.

azbi spahiu polici reagime

Sondazh

Poll