Bota

Protestat kundër qeverisë në Serbi, studentët dhe mijëra qytetarë bllokojnë autostradën kryesore të Beogradit

Protestuesit kanë organizuar pothuajse çdo ditë demonstrata në rrugë për të kërkuar llogari për aksidentin tragjik të 1 nëntorit në një ndërtesë stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit.

10 Janar 2025, 17:15 Nga r.ll
Protestat kundër qeverisë në Serbi, studentët dhe
foto nga protestat

BEOGRAD- Mijëra njerëz kanë bllokuar autostradën kryesore në kryeqytetin e Serbisë në kuadër të protestave të udhëhequra nga studentët, që u organizuan pas shembjes së një tende betoni që vrau 15 njerëz më shumë se dy muaj më parë. Duke brohoritur "Ne duam drejtësi", turma u mblodh fillimisht jashtë ndërtesës së gjykatës qendrore në Beograd për të kërkuar dënimin për ata që ata i përshkruan si banditë pro-qeveritare që kanë sulmuar protestuesit në një tubim të mëparshëm.

Protestuesit kanë organizuar pothuajse çdo ditë demonstrata në rrugë për të kërkuar llogari për aksidentin tragjik të 1 nëntorit në një ndërtesë stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit. Katërmbëdhjetë persona humbën jetën dhe tre u plagosën rëndë pasi blloqet e betonit i zunë poshtë . Një person tjetër vdiq më vonë ndërsa ishte në spital.

Shumë në Serbi besojnë se tenda e madhe u shemb për shkak të punës së parregullt të rindërtimit që rezultoi nga korrupsioni, shkruan Associated Press. Ndërtesa e stacionit hekurudhor të Novi Sadit u rinovua dy herë në vitet e fundit në një marrëveshje me kompanitë shtetërore kineze.

Protestat kanë paraqitur një sfidë për presidentin e vendit, Aleksandar Vuçiç. Mësimet në universitetet në Serbi janë pezulluar për javë të tëra. Bllokada e ditës së sotme zgjati për një orë, duke ndaluar gjithashtu trafikun nëpër një urë kyçe mbi lumin Sava. Prokurorët e Serbisë kanë ngritur akuza kundër 13 personave për shembjen e tendës, duke përfshirë një ministër të qeverisë dhe disa zyrtarë shtetërorë. Por dyshimet mbizotërojnë mbi pavarësinë e hetimit.

Bllokada më të vogla, 15 minutëshe, janë mbajtur çdo ditë për viktimat në orën 11:52, koha e saktë kur u rrëzua tenda. Një sulm ndaj një grupi studentësh gjatë një proteste të tillë shkaktoi edhe bllokadat e universitetit. Vuçiç fillimisht i akuzoi studentët se marrin para nga jashtë, ndërsa mediat pro-qeveritare kanë pretenduar se ata punojnë për shërbimet e huaja të inteligjencës dhe kanë publikuar të dhëna personale të disa studentëve.

protestat ne serbi

Sondazh

Poll