Politike

Zgjedhjet e 11 majit/ "Lehtësohen procedurat për t’u pajisur me mjet identifikimi", ministri Hoxha: Për diasporën përgjysmohet koha, pajisen me dokumentet për 15 ditë

Ai shtoi se zgjedhjet e 11 majit po afrohen dhe duhen organizuar të gjitha kapacitetet për të pasur lehtësim në të gjithë regjimin e aplikimit dhe prodhimit e pasaportave dhe kartave të identitetit.

8 Janar 2025, 16:26 Nga N.F
Zgjedhjet e 11 majit/ "Lehtësohen procedurat për t’u
Ervin Hoxha

TIRANË-  Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilloi ditën e sotme një takim në ambientet e kompanisë IdentiTek.  Gjatë këtij takimi u bë me dije se koha e pajisjes me dokumente identifikimi për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të përgjysmohet. Administratorja e Kompanisë shtetërorë të prodhimit të dokumenteve IdentiTek, Freskida Halilaj u shpreh se kompania ka marrë dy iniciativa shumë të rëndësishme, e para është përgjysmimi i kohës për të prodhuar këto dokumente të identifikimit. 

Ajo shtoi se qytetarët e diasporës do të mund të marrin dokumentet e identifikimit jo më për 30 ditë, por për 15 ditë. Halilaj shtoi se kanë nisur proceset për të vizituar ambasadat dhe konsullatat me fluks më të lartë të diasporës për t’u siguruar që çdo proces të kalojë në mënyrë të lehtë ashtu si edhe t’i paraprijmë çdo problematike qe mund të kenë në të ardhmen.

Ministri tha se për herë të parë organizohen zgjedhjet për diasporën. Ai shtoi se zgjedhjet e 11 majit po afrohen dhe duhen organizuar të gjitha kapacitetet për të pasur lehtësim në të gjithë regjimin e aplikimit dhe prodhimit e pasaportave dhe kartave të identitetit.

“Një nga proceset më kryesore është aplikimi i shtetasve shqiptarë pranë konsullatave kudo ku ata ndodhen, sa i përket pajisjes me letërnjoftime dhe pasaportë. IdentiTek është në krye të këtij procesi, të cilin e drejton nëpërmjet grupeve të tij operacionale duke dërguar këto grupe pranë konsullatave dhe ambasadave të vendit tonë për një aplikim dhe për lehtësimin e këtij regjimi”, theksoi Ministri.

Hoxha tha se janë marrë gjithashtu masat sa i përket burimeve njerëzore, që të punohet me kapacitet të plotë dhe t’i paraprihet fluksit që pritet të ketë në procesin e ardhshëm elektoral. Kapaciteti i plotë i prodhimit është 6,000 mijë pasaporta dhe 15,000 mijë karta identiteti në ditë.


“Bashkë me Administratoren e IdentiTek vizituam zonën e prodhimit të IdentiTek ku aktualisht gjithçka është e organizuar për lehtësimin e procedurave. Bashkërisht me Freskidën bëmë një kalim në të gjitha repartet ku kartat e identitetit, pasaportat biometrike prodhohen. Ministria e Brendshme dhe IdentiTek bashkërisht janë në krye të këtij procesi, duke bërë të mundur lehtësimin e aplikimit të shtetasve tanë në procesin zgjedhor të vitit 2025, por dhe në procesin e votës dhe aplikimit të votës së diasporës pranë ambasadës dhe konsullatave të huaja”, deklaroi gjatë vizitës ministri Hoxha.

ervin hoxha

Sondazh

Poll