Bota

Alkooli rrit rrezikun për kancer! Mjeku amerikan: Duhet të përmbajnë etiketë për rreziqet

Murthy thotë se njerëzit duhet të jenë më të informuar për lidhjen midis alkoolit dhe kancerit, duke vënë në dukje se konsumi i alkoolit është fajtor për gati një milion raste të parandalueshme të kancerit në SHBA. 

4 Janar 2025, 14:38 Nga E. D
Alkooli rrit rrezikun për kancer! Mjeku amerikan: Duhet të
foto ilustruese

SHBA- Mjeku i Përgjithshëm i SHBA-së, Vivek Murthy udhëzoi sot që në etiketat e pijeve alkoolike të shtohet paralajmërimi mbi rrezikun e prekjes nga kanceri, duke vënë në dukje se konsumimi i tyre shton mundësinë për rrezik të kancerit të gjirit, mëlçisë, zorrës së trashë dhe llojeve të tjera të kancerit.

Murthy thotë se njerëzit duhet të jenë më të informuar për lidhjen midis alkoolit dhe kancerit, duke vënë në dukje se konsumi i alkoolit është fajtor për gati një milion raste të parandalueshme të kancerit në SHBA. Gjithashti ai shtoi se rreth 20,000 njerëz vdesin çdo vit nga ato raste të kancerit të lidhura me alkoolin. 

“Lidhja e drejtpërdrejtë midis konsumit të alkoolit dhe rrezikut të kancerit është e vërtetuar për të paktën shtatë lloje të kancerit … pavarësisht nga lloji i alkoolit (p.sh. birra, vera dhe pijet alkoolike) që konsumohet,” tha Murthy duke përmendur kancerin e gjirit, fytit, mëlçisë, ezofagut, gojës, laringut dhe zorrës së trashë.

Murthy tha se përveç etiketimeve për pijet alkoolike, duhet të rishqyrtohen udhëzimet e tjera për rrezikun e alkoolit dhe kancerit dhe mjekët duhet të bëjnë më shumë për t’i ndërgjegjësuar pacientët për këto çështje. Aktualisht pijet alkoolike mbajnë paralajmërime me etiketa, duke përfshirë se konsumimi gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë probleme për fëmijën dhe paralajmërimin për të mos drejtuar automjet nën efektin e alkoolit. Por etiketat paralajmëruese nuk janë përditësuar që nga viti 1988.

SHBA rekomandon jo më shumë se dy pije në ditë për burrat dhe një për gratë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar sugjeron jo më shumë se 14 njësi alkool rreth gjashtë gota verë, ose litra birrë në javë. Çmimet e aksioneve të kompanive të pijeve alkoolike të listuara në SHBA përfshirë Diageo, prodhuesi më i madh në botë i pijeve alkoolike ranë deri në 4% pas njoftimit.

vivek murthy shba pije alkolike

Sondazh

Poll