Politike

Apeli i GJKKO-së rrëzon kërkesën e SPAK për "arrest shtëpie" ndaj Berishës, vendos masën "detyrim paraqitje" ndaj kreut të PD-së

Seanca, që drejtohet nga gjyqtari i posaçëm, Engert Pëllumbi, nisi pak pas orës 10:00 teksa në sallë ndodhej dhe avokati i kryedemokratit, Genc Gjokutaj.

3 Janar 2025, 11:23 Nga M.B
Apeli i GJKKO-së rrëzon kërkesën e SPAK për
Sali Berisha

TIRANA- Gjykata e Apelit të posaçëm rrëzoi sot kërkesën e SPAK për caktimin e masës "arrest shtëpie" ndaj kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha duke vendosur masën "detyrim paraqitje" dy herë në muaj. Seanca, që drejtohet nga gjyqtari i posaçëm, Engert Pëllumbi, nisi pak pas orës 10:00 teksa në sallë ndodhej dhe avokati i kryedemokratit, Genc Gjokutaj.

Thuajse tre javë më parë, SPAK apeloi në Apelin e Posaçëm lirimin e kreut të PD-së Sali Berisha nga "arresti shtëpiak" dhe kërkoi rikthimin e masës. Berisha është liruar nga masa "arrest shtëpie" më 27 nëntor 2024.  Ky vendim u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Avokati i kreut të PD-së, Genc Gjokutaj deklaroi atë ditë se ndaj Berishës nuk është caktuar asnjë masë tjetër sigurie. Ai shtoi po atë ditë se Prokuroria kërkoi që Berisha të qëndronte në "arrest shtëpie".

Më 30 dhjetor 2023 Gjykata e Posaçme njoftoi se e kishte vendosur masën arrest shtëpiak ndaj Berishës i cili është duke u hetuar së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi (aktualisht nën masën "arrest shtëpie") për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani. 

Më herët, Sali Berisha ka refuzuar masat e dhëna nga SPAK, atë të detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar masat si antikushtetuese. Pas moszbatimit të këtyre masave, Struktura e Posaçme ashpërsoi masën e sigurisë për Berishën, duke e lënë në "arrest shtëpie".

Gjykata e Posaçme urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.

sali berisha

Sondazh

Poll