Bota

Familjet e viktimave të mafias siçiliane të frikësuar nga rikthimi i 20 mafiozëve të liruar nga burgu

Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit legjendar antimafia Paolo Borsellino, i cili u vra nga organizata kriminale Cosa Nostra në vitin 1992, tha se lirimi nga burgu i mafiozëve që kanë refuzuar gjithmonë të bashkëpunojnë me drejtësinë është jashtëzakonisht e rrezikshme. Sipas tij është një goditje fatale për luftën kundër mafies.

3 Janar 2025, 10:20 Nga N.F
Familjet e viktimave të mafias siçiliane të frikësuar nga
Postera

ITALI- Familjet e viktimave të mafias siçiliane kanë frikë nga rikthimi i më shumë se 20 mafiozëve të liruar gjatë tre muajve të fundit të cilët mund të kthehen tani në lagjet që dikur kontrollonin. Shumica e këtyre bosëve, disa prej të cilëve mbanin role drejtuese në familjet kryesore mafioze të kryeqytetit të Siçilisë, Palermos, nuk e kanë mohuar kurrë Cosa Nostra-n, mafian siçiliane dhe kanë refuzuar gjithmonë të bashkëpunojnë me autoritetet gjyqësore. Ata janë liruar me leje ose për sjellje të mirë.


Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit legjendar antimafia Paolo Borsellino, i cili u vra nga organizata kriminale Cosa Nostra në vitin 1992, tha se lirimi nga burgu i mafiozëve që kanë refuzuar gjithmonë të bashkëpunojnë me drejtësinë është jashtëzakonisht e rrezikshme. Sipas tij është një goditje fatale për luftën kundër mafies.

Nino Morana Agostino, nipi i oficerit të policisë Nino Agostino, i cili u qëllua për vdekje në mes të ditës në vitin 1989 së bashku me gruan e tij, Ida, e cila ishte në muajin e pestë shtatzënë, tha për gazetën la Repubblica se mafiozët që tani po kthehen në liri me kusht, mbajnë ende sekrete të rënda për vrasjet e pazbardhura mafioze që nuk kanë pranuar t'i rrëfejnë.

Në tetor, Raffaele Galatolo, 74 vjeç, një bos mafioz në lagjen Acquasanta të Palermos, pasi gjykata e shpalli atë "të paraburgosur model" për sjelljen e tij të mirë, është rikthyer në liri, me disa kushte. Galatolo dhe vëllai i tij Vincenzo, të cilët të dy u dënuan për vrasje, ishin drejtuesit e të ashtuquajturës "dhoma e vdekjes", një dhomë ku viktimat u mbytën me urdhër të bosit të atëhershëm të mafies siciliane, Salvatore "Totò" Riina . Pas vdekjes së Vincenzos, Raffaele mbeti trashëgimtari i vetëm i fronit në familjen mafioze të Acquasanta.

Një javë më parë, Giuseppe Corona, i cili ishte në paraburgim në pritje të gjyqit që nga viti 2018 në burgun e sigurisë maksimale të rezervuar për bosët e mafias, u lirua, pasi kishte kryer periudhën maksimale të lejuar përpara gjyqit të tij, i cili është vonuar vazhdimisht.

Në fillim të tetorit, gjykata e apelit të Palermos kishte liruar nëntë bosë nga Trapani për të njëjtën arsye, të lidhur me ish-bosin e mafies siciliane Matteo Messina Denaro, i arrestuar në janar 2023 pas 30 vitesh në arrati, i cili vdiq në shtator të të njëjtit vit.

Kryeprokurori i Palermos, Maurizio de Lucia, ka lëshuar kohët e fundit një apel për të mbajtur fokusin në luftën kundër mafies, me hetuesit që kanë frikë nga mundësia që Cosa Nostra, pas një periudhe të gjatë rënieje, mund të përpiqet të riorganizojë të ashtuquajturën Kupolë, organi drejtues i saj.

Frika e prokurorëve dhe familjeve të viktimave vjen kryesisht për faktin se shumë prej këtyre bosëve kanë refuzuar të bashkëpunojnë me autoritetet, duke sinjalizuar interesin e tyre për të vazhduar t'i përkasin mafies.

mafia siciliane

Sondazh

Poll