Politike

Integrimi në BE/ Rama: Plani strategjik ka hapa dhe data konkrete! Është shumë ambicioz, por jemi të angazhuar që ta realizojmë deri në vitin 2027

Rama shtoi se është një plan konkret me hapa konkrete si dhe me data konkrete edhe pse është shumë ambicioz janë të angazhuar që ta realizojnë pikë për pikë.

28 Dhjetor 2024, 19:42 Nga N.F

Integrimi në BE/ Rama: Plani strategjik ka hapa dhe data konkrete!

Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama së fundmi ka zhvilluar një intervistë ndërsa ka folur në lidhje me integrimin drejt Bashkimit Europian. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rama u shpreh se bisedimet dëshirojnë të mbyllen brenda vitit 2027. Ai theksoi se ky është plani i përbashkët strategjik i shkruar dhe i dakordësuar së bashku me Komisionin Europian.

Rama shtoi se është një plan konkret me hapa konkrete si dhe me data konkrete edhe pse është shumë ambicioz janë të angazhuar që ta realizojnë pikë për pikë. Kryeministri tha se administrata  përballoi jo vetëm me sukses, por edhe nën sytë e befasuar të Komisionit Europian të gjithë procesin e përgatitjes së negociatave, që është një proces jashtëzakonisht i vështirë.

Pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, së pari, faleminderit për këtë intervistë në fund të vitit me Zërin e Amerikës. Do të doja ta nisja me një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë gjatë këtij viti, përparimin e saj në integrimin drejt Bashkimit Europian. Brenda dy muajsh, Shqipëria arriti të hapë dy grupe kapitujsh. Megjithatë ambicia juaj është që bisedimet të mbyllen brenda vitit 2027. Sa realiste është kjo, duke patur parasysh që fqinjët tanë kanë kaluar vite të tëra e ende janë larg?

Kryeministri Rama: Kjo nuk është ambicia ime tanimë, por është plani i përbashkët strategjik i shkruar dhe i dakordësuar së bashku me Komisionin Europian. Është një plan konkret, me hapa konkrete, me data konkrete dhe është shumë ambicioz, por ne jemi të angazhuar që ta realizojmë pikë për pikë dhe që, përsa na takon, detyrat për mbylljen e negociatave t’i kemi kryer brenda vitit, që kemi përcaktuar.

Zëri i Amerikës: A është e përgatitur administrata shqiptare për ta përballuar këtë proces? Sepse po i referohem këtu raportit të fundit të Komisionit Europian, dhe më lejoni të citoj, ku thuhet se qeveria, për shembull, “vazhdoi të miratonte politikat dhe ligjet, duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e standardeve të BE-së”, apo se “një pjesë e mirë e rekomandimeve të Komisionit Europian ose ishin zbatuar pjesërisht, ose nuk ishin zbatuar fare”.

Kryeministri Rama: Këto nuk kanë asnjë lidhje me pyetjen apo me përmbajtjen e pyetjes për administratën, sepse sa e përgatitur është administrata jonë kjo natyrisht nuk duket, nëse ndjek lumenjtë e lajmeve, ku gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, po edhe gënjeshtrat safi janë material sundues. Por kjo duket nga faktet dhe fakti më kuptimplotë për përgatitjen e administratës sonë është fakti që administrata jonë përballoi jo vetëm me sukses, por edhe nën sytë e befasuar të Komisionit Europian të gjithë procesin e përgatitjes së negociatave, që është një proces jashtëzakonisht i vështirë.

Nga ana tjetër, administratën tonë e gjykojnë institucione prestigjioze, të cilat funksionojnë si institucione të Bashkimit Europian, ku kam parasysh në këtë rast SIGMA-n, që e cilëson administratën tonë, në mos gabohem, në 4 nga 5 fusha të hulumtimit të kapaciteteve të administratës, si më të mirën në rajon.

rama be

Sondazh

Poll