Politike

U thirr në Prokurorinë e Posaçme/ Veliaj e quan vizitë: Do bashkëpunoj me SPAK, jam denoncuar me një letër anonime

Veliaj mes tensioneve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ka deklaruar se në SPAK është kallëzuar me letër anonime nga një person që nuk ekziston.   

26 Dhjetor 2024, 16:59 Nga I.A
U thirr në Prokurorinë e Posaçme/ Veliaj e quan
Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka dhënë shpjegime për dëshminë që ka dhënë në Prokurorinë e Posaçme ditën e sotme për 5 orë. Në fjalën e tij, Veliaj thirrjen nga prokurorët për tu marrë në pyetje e ka quajtur si viztë dhe bashkëpunim me SPAK.

Veliaj mes tensioneve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ka deklaruar se në SPAK është kallëzuar me letër anonime nga një person që nuk ekziston. Veliaj shumë shkurt tha se është i gatshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe se nuk ka asgjë për të fshehur.

"Ju detyrohem një shpjegim për bashkëpunimin me SPAK. Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, një person që nuk ekziston. Disa njerëz që nuk na mundin dot në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime. Të gjithë e dimë se cfarë përfaqëson ky emër. Duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim regjistrin e gjendjes civile dhe mund të verifikojë se është një kurth i sajuar. Unë hyj te ajo racë politikanësh ku nuk i thotë SPAK Skap kur nuk i intereson. As kam bërë letra anonime, këtu do jemi në maj do ju mundim”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur mëngjesin e ditës së sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ditën e sotme u vu re se Veliaj ishte i shoqëruar nga drejtori juridik i bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi, i cili nuk është as avokati i tij.

Mëngjesin e 6 dhjetorit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.

Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa "veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal". Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë "5D", që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë. Veliaj reagoi në mbrëmje e 6 dhjetorit duke deklaruar se mbështet në çdo hap veprimet e Prokurorisë.

erion veliaj

Sondazh

Poll