Bota

Rusia qëndron pas rrëzimit të avionit në Kazakistan? Reagon Kremlini: Nuk mund të ngremë hipoteza para se të përfundojnë hetimet

Para se të rrëzohej pranë qytetit të Kazakistanit Aktau, avioni u devijua përtej Detit Kaspik, nga destinacioni i tij në Çeçeni në Kazakistanin perëndimor.

26 Dhjetor 2024, 13:48 Nga r.ll
Rusia qëndron pas rrëzimit të avionit në Kazakistan? Reagon
mbetje te avioni

RUSI- Qeveria ruse ka reaguar pas ngritjes së dyshimeve dhe hipotezave se pas rrëzimit të avionit të pasagjerëve në Kazakistan, ku humbën jetën 38 persona qëndron Rusia.

Pamjet e avionit të rrënuar duket se tregonin dëmtime të copëzave dhe disa ekspertë të aviacionit sugjeruan se avioni i Azerbajxhan Airlines mund të ishte goditur nga sistemet e mbrojtjes ajrore mbi republikën ruse të Çeçenisë. Para se të rrëzohej pranë qytetit të Kazakistanit Aktau, avioni u devijua përtej Detit Kaspik, nga destinacioni i tij në Çeçeni në Kazakistanin perëndimor.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov foli lidhur me aksidentin tragjik dhe tha: "Do të ishte gabim të parashtronim ndonjë hipotezë përpara përfundimit të hetimit. Ne, natyrisht, nuk do ta bëjmë këtë dhe askush nuk duhet ta bëjë këtë. Duhet të presim derisa të përfundojë hetimi i plotë."

Avioni Embraer 190 u ngrit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku mëngjesin e së mërkurës. Ai do të fluturonte për në Grozny në Çeçeni, por u devijua për shkak të mjegullës, tha linja ajrore.

Një pasagjer i mbijetuar i tha televizionit rus se piloti kishte tentuar dy herë të ulej në mjegull të dendur mbi Grozny përpara se herën e tretë, diçka të shpërthente. Avioni u ridrejtua në aeroportin Aktau, rreth 450 km (280 milje) në lindje. Pamjet tregojnë avionin duke u nisur drejt tokës me shpejtësi të lartë 3 km (1.9 milje) larg pistës, përpara se të shpërthejë në flakë ndërsa ulet. Autoritetet kazake kanë gjetur regjistruesin e të dhënave të fluturimit dhe një hetim është në proces. Menjëherë pas përplasjes, raportet nga televizioni shtetëror rus thanë se shkaku më i mundshëm ishte një goditje nga një tufë zogjsh.

Justin Crump i kompanisë këshilluese të rrezikut Sibylline tha se modeli i dëmtimit brenda dhe jashtë aeroplanit tregon se mbrojtja ajrore ruse aktive në Grozny mund të ketë shkaktuar rrëzimin.

"Duket shumë si shpërthimi i një rakete të mbrojtjes ajrore në pjesën e pasme dhe në të majtë të avionit, nëse shikoni modelin e copëzave që ne shohim," tha ai për BBC Radio 4.

Çeçenia tashmë është goditur nga sulmet me dronë ukrainas këtë muaj dhe autoritetet në Ingushetinë fqinje thanë se rajoni rus ishte shënjestruar për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Një qendër tregtare u godit kur një dron u rrëzua në Osetinë e Veriut, duke vrarë një grua, thanë raportet.

Kreu i senatit të Kazakistanit, Ashimbayev Maulen, theksoi se shkaku i rrëzimit të avionit pranë Aktaut nuk dihet ende.

"Asnjë nga këto vende - Azerbajxhani, Rusia apo Kazakistani - nuk është i interesuar të fshehë informacionin. Të gjitha informacionet do të vihen në dispozicion të publikut," tha ai.

Personat në bord ishin kryesisht shtetas të Azerbajxhanit, por kishte edhe disa pasagjerë nga Rusia, Kazakistani dhe Kirgistani. Pamjet me video treguan të mbijetuarit duke u zvarritur nga rrënojat, disa me lëndime të dukshme. Të plagosurit po trajtohen në spital dhe 11 prej tyre janë në kujdes intensiv.

rrezimi i avionit ne kazakistan dmitry peskov

Sondazh

Poll