Bota

"I hap rrugën zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt!" Kancelari gjerman Olaf Scholz humbet votëbesimin në parlament

Votimi i sotëm vjen rreth dy muaj pas rënies së qeverisë së koalicionit tre-partiak të Scholz, i cili e la kancelarin të udhëheqë një administratë pakice.

16 Dhjetor 2024, 16:43 Nga M.B
"I hap rrugën zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt!"
Olaf Scholz

GJERMANIA- Kancelari gjerman Olaf Scholz ka humbur votëbesimin në parlament, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt. Scholz thirri votimin e së hënës dhe, sipas mediave të huaja, pritej që ta humbiste atë. Në artikuj nga këto media të huaja shtohet se Scholz llogariti se iniciimi i zgjedhjeve të parakohshme ishte shansi i tij më i mirë për të fituar votën e besimit. Votimi i sotëm vjen rreth dy muaj pas rënies së qeverisë së koalicionit tre-partiak të Scholz, i cili e la kancelarin të udhëheqë një administratë pakice.

Çfarë kërkoi Scholz?

Kancelari gjerman Olaf Scholz, kërkoi sot në Bundestag, votëbesimin e Parlamentit Gjerman, për të hapur rrugë për zgjedhjet e reja. Zgjedhjet e reja janë një hap i nevojshëm për të tejkaluar bllokimin politik aktual, argumentoi Scholz. Ai theksoi rëndësinë e një qeverie të qëndrueshme dhe të bashkuar për të adresuar këto çështje, duke shtuar se Gjermania ka nevojë për vendime të guximshme dhe këto mund të merren vetëm me mbështetjen e plotë të qytetarëve tanë për një drejtim të ri politik. Scholz pranoi se koalicioni tripartiak i qendrës së majtë, i përbërë nga SPD, Të Gjelbrit dhe FDP, kishte qenë sfidues që në fillim.

"Ruajtja e këtij koalicioni kërkonte shumë energji, ndërsa përfundimi i tij ishte po aq i vështirë," tha Scholz.

Ai kritikoi ish-ministrin e Financave, Christian Lindner (FDP), për bllokimin e reformave thelbësore në ekonomi dhe infrastrukturë. Kancelari aktual, i cili kandidon sërish në zgjedhjet e shkurtit, premtoi të përqendrohet te reformat e ushtrisë, përmirësimi i infrastrukturës dhe fuqizimi i ekonomisë gjermane. 

Si nisi kriza qeveritare në Gjermani? 

Kriza qeveritare në Gjermani u shkaktua nga mosmarrëveshjet e brendshme në koalicionin tripartiak. SPD dhe Të Gjelbrit kërkonin më shumë investime për tranzicionin energjetik dhe infrastrukturë, duke propozuar ndryshime në "frenën e borxhit" të Kushtetutës, e cila kufizon borxhin publik.

FDP, si parti pro-tregut, refuzoi këtë qasje, duke e bllokuar koalicionin. Largimi i Christian Lindner, Ministrit të Financave, ishte pika kulmore që çoi në shpërbërjen e qeverisë. Scholz e akuzoi atë për pengimin e reformave të domosdoshme për ekonominë dhe për të përballuar sfidat si tranzicioni energjetik dhe mbështetja për Ukrainën.

Kriza qeveritare e Gjermanisë ndodh në një kohë kur Gjermania përballet me sfida të mëdha: lufta në Ukrainë, kriza ekonomike, mungesat investimeve në dekadat e fundit në ushtri, infrastrukturë dhe ekonomi, e ka rritur presionin ndaj votuesve gjermanë.  

olaf scholz

Sondazh

Poll