Bota

Rënia e regjimit të Al Assad, reagojnë liderët botërorë: Moment vendimtar në historinë e Sirisë! Rusia dhe Irani tani janë në një gjendje të dobësuar

Rebelët pretenduan se kanë marrë nën kontroll qytetin e Damaskut, ndërsa lideri sirian Bashar Al Assad nuk dihet ku është. 

8 Dhjetor 2024, 11:57 Nga r.ll
Rënia e regjimit të Al Assad, reagojnë liderët
foto ilustruese

SIRI- Regjimi 50-vjeçar e familjes Al Assad duket se ka marrë fund pasi rebelët pretenduan se kanë marrë nën kontroll qytetin e Damaskut, ndërsa lideri sirian Bashar Al Assad nuk dihet ku është. 

"Damasku është tani i lirë nga Assadi”, thanë rebelët në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale. Lidhur me zhvillimet e ofensivës së shpejtë të rebelëve në Siri kanë reaguar edhe liderët botërorë. 

REAGIMET:

PRESIDENTI I SHBA JOE BIDEN

“Presidenti Biden dhe ekipi i tij po monitorojnë nga afër ngjarjet e jashtëzakonshme në Siri dhe po qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët rajonalë”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

PRESIDENTI I ZGJEDHUR I SHBA DONALD TRUMP

"Assad është zhdukur. Ai ka ikur nga vendi i tij. Mbrojtësi i tij, Rusia, Rusia, Rusia, e udhëhequr nga Vladimir Putin, nuk ishte i interesuar ta mbronte më atë," postoi Trump në X. "Rusia dhe Irani janë në një gjendje të dobësuar tani, njëri për shkak të Ukrainës dhe ekonomisë së keqe, tjetri për shkak të Izraelit dhe suksesit të tij luftarak."

MINISTRI I JASHTËM ITALIAN ANTONIO TAJANI

"Unë po ndjek me vëmendje evoluimin e situatës në Siri. Jam në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Damask dhe me zyrën e Kryeministrit. Kam thirrur një takim urgjent në orën 10:30 në Ministrinë e Jashtme." tha Tajani në X.

ZËVENDËSKRYETARI I DHOMËS SË SIPËRME TË PARLAMENTIT TË RUSISË KONSTANTIN KOSAÇJOV

Sirianët do të duhet të përballen vetëm me një luftë civile në shkallë të gjerë, citohet të ketë thënë ai nga agjencia ruse e lajmeve Interfax.

I DËRGUAR I POSAÇËM I OKB-së PËR SIRINË GEIR OTTO PEDERSEN I NORVEGJISË

"Sot shënohet një moment vendimtar në historinë e Sirisë - një komb që ka duruar gati 14 vjet vuajtje të pamëshirshme dhe humbje të papërshkrueshme," tha ai në një deklaratë .

"Ky kapitull i errët ka lënë plagë të thella, por sot ne presim me shpresë të kujdesshme për hapjen e një të reje - paqeje, pajtimi, dinjiteti dhe përfshirjeje për të gjithë sirianët."

MINISTRI I JASHTËM TURK HAKAN FIDAN

Duke folur në Doha, Fidan tha se aktorët ndërkombëtarë dhe fuqitë rajonale duhet të veprojnë me maturi dhe të ruajnë integritetin territorial të Sirisë, duke paralajmëruar se organizatat terroriste nuk duhet të lejohen të përfitojnë nga situata.

I pyetur për vendndodhjen e Assadit, ai tha se nuk mund të komentonte mbi këtë çështje, por se besonte se ishte jashtë vendit. Ai tha gjithashtu se Turqia nuk ka pasur asnjë kontakt kohët e fundit me Assadin pavarësisht thirrjeve të presidentit Tajip Erdogan për të zhvilluar bisedime.

regjimi i al assad ne siri

Sondazh

Poll