Aktualitet

Operacioni i SPAK/ Arrestohet në Belgjikë vëllai i Suel Çelës

Mësohet se Çela është vënë në pranga, pas operacionit të djeshëm të SPAK në Elbasan. 

26 Nëntor 2024, 14:46 Nga I.A
Operacioni i SPAK/ Arrestohet në Belgjikë vëllai i Suel
Suel Çela

BELGJIKË- Vëllai i Suel Çelës, Mario Çela është arrestuar ditën e sotme në Belgjikë. Mësohet se Çela është vënë në pranga, pas operacionit të djeshëm të SPAK në Elbasan. SPAK kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Çelën dhe anëtarët e tjerë të grupit të tyre.

Operacioni i SPAK:

Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar një operacion në Elbasan pas zbërthimit të bisedave në SKY ECC. Aksioni në Elbasan është zhvilluar për kapjen e Suel Çelës dhe goditjen e grupit të tij kriminal. Në kuadër të operacionit janë lëshuar 18 udhërarreste në burg, një urdhërarrest në shtepi dhe dy masa sigurie. Deri më tani janë ekzekutuar vetëm disa prej tyre.

Konkretisht masa “arrest në burg” është ekzekutuar për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu (gjatë ushtrimit të detyrës i shërbente krimit, ndodhet në arrest shtëpie për përfshirje në dosjen e grupit të Çopajve po në Elbasan), ish-kreun e gjyqtarëve në Elbasan Zihni Shahu, ish-shefin e krimeve në Tiranë, Dedan Gjonin (aktualisht në burg për dosjen “Metamorfoza 2”) dhe biznesmenin Marsel alias Bujar Shega (dyshohet se pastronte paratë e grupeve kriminale përmes kompanive të tij).

Në kuadër të operacionit që është zhvilluar dhe në Tiranë janë kontrolluar një sërë banesash, kryesisht në qytetin e Elbasanit, ish-gjyqtarësh, përfshirë edhe ato të Zihni Shahut dhe Taulant Tafës, dhe 2 ish-prokurorëve. Të sipërpërmendurit dyshohet se kanë dhënë vendime korruptive duke favorizuar Suel Çelën dhe grupin e tij kriminal. Me urdhër të SPAK, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle të befasishme në ‘bazat’ e Suel Çelës. Operacioni u organizuar pas zbërthimit të bisedave në SkyECC, ku ka dyshime se emrat e gjyqtarëve përmenden në një bisedë për zbutjen e një mase sigurimi personal. Operacioni i SPAK për ekzekutimin e masave të sigurisë, i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.

mario Çela suel cela

Sondazh

Poll