Bota

Intensifikohen luftimet/ Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme ajrore me raketa dhe dron

Rusia ka kryer afro 1500 sulme në Ukrainë që nga mbrëmja e së dielës në rreth gjysmën e rajoneve të vendit duke shkaktuar dhjetëra të lënduar, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

25 Nëntor 2024, 14:09 Nga ZH.LL
Intensifikohen luftimet/ Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme ajrore me
sulme ne Kursk

UKRAINË- Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme ajrore, pas një jave retorikë të intensifikuar në të cilën Rusia testoi një raketë të re në Ukrainë.

Rusia ka kryer afro 1500 sulme në Ukrainë që nga mbrëmja e së dielës në rreth gjysmën e rajoneve të vendit duke shkaktuar dhjetëra të lënduar, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ndërkohë ushtria e Ukrainës tha se kishte goditur një depo kryesore të naftës në jug të Moskës dhe objektiva në rajonet kufitare Bryansk dhe Kursk.

Përdorimi nga Rusia i raketës balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik në qytetin ukrainas të Dnipros mbylli një javë përshkallëzimi në luftë që pa Ukrainën të lëshonte raketa amerikane dhe britanike drejt Rusisë për herë të parë.

Presidenti amerikan Joe Biden raportohet se i ka dhënë Ukrainës lejen për të përdorur raketa Atacms me rreze më të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë, si përgjigje ndaj përdorimit të trupave të Koresë së Veriut nga Moska.

Guvernatori i Kharkiv, Oleh Synehubov, tha se 23 persona ishin plagosur në një sulm me raketa në qytetin e Kharkiv, ku një operacion shpëtimi ishte duke u zhvilluar. Një raketë S-400 u përdor në sulm, tha ai.

Departamenti i emergjencave në Odesa tha se 10 persona ishin plagosur në një sulm me raketa, i cili dëmtoi ndërtesa banimi, shkolla dhe një sallë sportive universitare. Zyrtarët rajonalë thanë se tre persona të tjerë u plagosën në sulmet në rajonin Kherson dhe nga një në rajonet Zaporizhzhya dhe Chernihiv.

Ndërkohë, ushtria ukrainase tha se gjatë natës ata goditën me dronë depon e naftës në rajonin Kaluga në juglindje të Moskës. Burimet thanë për mediat ukrainase se sulmi shkaktoi një seri shpërthimesh dhe një zjarr në vend.

Nuk ka pasur asnjë koment nga ushtria ruse për sulmin, por guvernatori rajonal Vladislav Shapsha tha se mbeturinat nga dronët e rrëzuar nga mbrojtja ajrore kishin shkaktuar "një zjarr në territorin e një ndërmarrje industriale". Tetë dronë në total u shkatërruan, shtoi ai.

Ushtria e Ukrainës përmendi gjithashtu sulmet në rajonet Bryansk dhe Kursk, pa specifikuar se çfarë u godit. Ushtarakët rusë, megjithatë, thanë se baza ajrore Khalino në rajonin e Kursk ishte goditur nga një sulm nga tetë raketa Atacms të furnizuara nga SHBA.

Leja e SHBA-së për përdorimin e Atacms thuhet se është e kufizuar në këtë rajon për shkak të pranisë së trupave të Koresë së Veriut atje. Ata mendohet të jenë të përfshirë në një ofensivë ruse për të dëbuar forcat ukrainase nga një zonë e vogël e rajonit të Kurskut, të cilën e pushtuan në vjeshtë në një sulm të befasishëm.

Ministria ruse e mbrojtjes tha vetëm se kishte rrëzuar tetë raketa balistike nga Ukraina, pa thënë se ku.

Forcat ruse kanë goditur gjithashtu infrastrukturën energjetike të Ukrainës në një përpjekje për të krijuar kushte të vështira me afrimin e dimrit.

Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Të dyja vendet tani po përpiqen të sigurojnë një avantazh në fushën e betejës përpara se Donald Trump të bëhet president i SHBA në janar dhe të kërkojë t'i japë fund konfliktit.

rusi ukraine sulme raketa dhe dron

Sondazh

Poll