Bota

Tragjedia në stacionin hekurudhor në Novi Sad, dorëhiqet ministri serb Tomislav Momiroviç

“Ju njoftoj se po jap dorëheqje nga pozita e Ministrit të Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme. I jam mirënjohës Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç për besimin. Për të dhe për Serbinë jam gjithmonë këtu”, ka thënë Momiroviç në dorëheqjen e tij me shkrim.

20 Nëntor 2024, 15:47 Nga ZH.LL
Tragjedia në stacionin hekurudhor në Novi Sad, dorëhiqet ministri
Tomislav Momiroviç

SERBI- Ministri serb i tregtisë Tomislav Momiroviç, i cili më parë ishte ministër i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, dha dorëheqjen sot si pasojë e aksidentit tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, ku 15 persona humbën jetën.

“Ju njoftoj se po jap dorëheqje nga pozita e Ministrit të Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme. I jam mirënjohës Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç për besimin. Për të dhe për Serbinë jam gjithmonë këtu”, ka thënë Momiroviç në dorëheqjen e tij me shkrim.

Momiroviç ishte Ministër i Ndërtimit nga viti 2020 deri në vitin 2022, gjatë kohës kur stacioni hekurudhor i Novi Sadit u rindërtua dhe më pas u rihap në kohë për zgjedhjet e vitit 2022. Më 1 nëntor, tenda e jashtme e stacionit u shemb dhe la të vdekur 15 persona dhe dy të tjerë të plagosur rëndë.

Ai është ministri i dytë që jep dorëheqje si pasojë e këtij aksidenti të rëndë, pas ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç.

Disa protesta dhe bllokada janë mbajtur në Serbi duke kërkuar përgjegjësi për katastrofën. Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me katastrofën. Zyra e Prokurorit të Lartë të Novi Sadit, e cila drejton rastin, njoftoi javën e kaluar se kishte marrë në pyetje dhjetëra njerëz. Ndërkohë personat e arrestuar nga policia në protestën për katastrofën janë ende në paraburgim.

 

 

 

serbi novi sad tragjedia jep doreheqjen tomislav momirovic

Sondazh

Poll