Politike

Balluku: Më 1 dhjetor paraqesim planin e uljes së çmimit të energjisë për qytetarët

Balluku gjithashtu shtoi se më 1 dhjetor do të paraqitet edhe plani i paralajmëruar më herët për uljen e çmimit të energjisë edhe për të gjithë qytetarët.

19 Nëntor 2024, 15:33 Nga E. D
Balluku: Më 1 dhjetor paraqesim planin e uljes së çmimit
Belinda Balluku

TIRANË- Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë fjalës së saj në Kuvend deklaroi se furrat e bukës prej një viti gëzojnë çmim preferencial për energjinë elektrike. Balluku gjithashtu shtoi se më 1 dhjetor do të paraqitet edhe plani i paralajmëruar më herët për uljen e çmimit të energjisë edhe për të gjithë qytetarët.

Balluku gjatë një replike me deputetin e PD-së, Helidon Bushati i cili ngriti akuza për mungesë të investimeve në rrjetin e energjisë elektrike dhe rrjetin e ujësjellësave, që sipas tij shkojnë deri në 10 orë, si dhe rritjen e çmimit të energjisë për furrat e bukës, ajo deklaroi se furrat e bukës paguajnë vetëm 7.6 lekë për kilovat orë.

“Furrat që prodhojnë vetëm bukë marrin çmimin preferencial prej 7.6 lekë për kilovat-orë, ato që kanë edhe shërbimin e pastiçerisë paguajnë 9.5 lekë për kilovat-orë, ndërsa furrat që ofrojnë edhe shërbim “kafe” e kanë çmimin 12 lekë për kilovat-orë. Kryeministri ka lënë porosi të shikohet mundësia e uljes së energjisë duke plotësuar kushtet e kërkesat e BE-së për Agjendën e Gjelbër. Kemi bërë analizën dhe më 1 dhjetor do të kemi informacionin e plotë për sa i përket rishikimit dhe uljes së çmimit sipas kritereve të BE-së. E kuptoj narrativën e egër politike”, tha Balluku.

belinda balluku

Sondazh

Poll