Sport

Trajneri Franco Foda i Dardanëve: “Nuk ka rëndësi vendimi i UEFA-s, mesazhi ynë ishte i qartë: Kosova ka identitetin e saj"!

Dardanët e Kosovës do të luajnë sot ndeshjen e fundit të Nations League, ku në orën 20:45 do të presin Lituaninë në Fadil Vokrri.

18 Nëntor 2024, 13:30 Nga DOSJA

Trajneri Franco Foda i Dardanëve: “Nuk ka rëndësi vendimi i

KOSOVE - Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ishte dje përballë gazetarëve për të prezantuar ndeshjen e fundit të skuadrës së tij në Nations League.

Dardanët do të luajnë sot ndeshjen e fundit të Nations League, ku në orën 20:45 do të presin Lituaninë në Fadil Vokrri.

Në vigjilje të këtij takimi tekniku gjerman, u shpreh i kënaqur me paraqitjen ndaj Rumanisë dhe tha se fokusi tashmë është vetëm tek kundërshtari i sotëm.

“Nuk do të jetë problem. Ekipi ka luajtur shumë mirë në Rumani. Më e rëndësishmja është që ne jemi rikuperuar. Kemi mbërritur shumë vonë dhe tani jemi gati për ndeshjen e radhës. Edhe pas ngjarjes së fundit në Rumani, kam vënë re se ekipi ka vetëbesim. Kemi treguar lojë të mirë në Bukuresht”,- komentoi Foda.

Një tjetër argument i prekur nga trajneri për këtë ndeshje ka qenë edhe i të pezulluarve për shkak kartonësh. “Do të mungojnë Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellova. Këta dy lojtarë janë ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe nuk do të jenë të gatshëm për takimin e radhës përballë Lituanisë. Kemi opsione të mjaftueshme. Kemi Alitin, Hotin, Krasniqin dhe të tjerët”,- tha Franco Foda.

Sa i përket vendimit të UEFA-s mbi fundin e ndeshjes që u ndërpre në Bukuresht, Foda tha: “Për mua s’ka rëndësi vendimi, por fakti se ne dhamë mesazhin tonë. Tashmë të gjithë e dinë se Kosova ka identitetin e saj”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll