Bota

Kërkojnë paga më të mira/ Rreth 4,000 punonjës shëndetësorë të Kroacisë futen në grevë

Sindikata “Together” (“Zajedno”), ku përfshihen inxhinierë radiologjikë, teknikë dhe infermierë, ka kërkuar që qeveria të konsiderojë zgjerimin me 20% të bazës për llogaritjen e pagave të tyre dhe rifutjen e shpërblimeve për kushtet e rrezikshme të punës.

11 Nëntor 2024, 14:45 Nga ZH.LL
Kërkojnë paga më të mira/ Rreth 4,000 punonjës
Mjekët në grevë

ZAGREB- Rreth 4,000 punonjës mjekësorë iu bashkuan një greve të nisur të hënën në spitalet anembanë Kroacisë, duke kërcënuar se do të ofrojnë vetëm shërbimet bazë të urgjencës për pacientët derisa qeveria të rishqyrtojë kërkesat e tyre për paga më të larta.

Sindikata “Together” (“Zajedno”), ku përfshihen inxhinierë radiologjikë, teknikë dhe infermierë, ka kërkuar që qeveria të konsiderojë zgjerimin me 20% të bazës për llogaritjen e pagave të tyre dhe rifutjen e shpërblimeve për kushtet e rrezikshme të punës.

Ata ankohen gjithashtu për një ngarkesë pune që është shumë e rëndë pasi shumë punonjës shëndetësorë janë larguar nga Kroacia për në Perëndim, duke krijuar mungesa të stafit në spitale.

Marin Tomelic, përfaqësuesi i "Together" dhe vetë një mjek i radiologjisë spitalore, tha se sindikata filloi bisedimet me qeverinë në mars, por nuk kishte asnjë përgjigje të kënaqshme.

"Ata na kanë degraduar që atëherë," tha Tomelic. “Për ne greva nuk është qëllim por mjet për të tërhequr vëmendjen e vendimmarrësve, pra të ministrisë dhe qeverisë”, tha ai, duke shtuar se greva do të përfundojë kur të plotësohen kërkesat.

Tomelic u kërkoi falje të gjithë atyre pacientëve që nuk do të marrin trajtimet apo diagnostikimet e tyre për sa kohë që greva do të vazhdojë.

Ministri i Shëndetësisë Vili Beros minimizoi fuqinë e sindikatës, duke thënë se numri i punëtorëve që i bashkoheshin grevës ishte shumë më i vogël dhe i hodhi poshtë kërkesat e tyre si "shantazh".

Sondazh

Poll