Bota

Rusia bëhet gati për të kundërsulmuar në Kursk, mbledh 50 000 trupa përfshirë edhe ato nga Koreja e Veriut

Një grup i operacioneve speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës, në orët e fundit lëvizi prapa linjave të trupave ruse në Kursk, duke neutralizuar 14 ushtarë të Federatës Ruse dhe arrestuar tre të tjerë.

10 Nëntor 2024, 15:11 Nga r.ll
Rusia bëhet gati për të kundërsulmuar në Kursk, mbledh
foto ilustruese

RUSI- Dëmet dhe humbjet e ushtrisë ruse nga ukrainasit brenda territoreve të saj, në zonën më të gjerë të Kurskut, e kanë vënë në pozitë të vështirë Moskën, e cila ende nuk ka arritur të reagojë efektivisht. Siç u bë e ditur nga mediat ukrainase, një grup i operacioneve speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës, në orët e fundit lëvizi prapa linjave të trupave ruse në Kursk, duke neutralizuar 14 ushtarë të Federatës Ruse dhe arrestuar tre të tjerë.

"Të gjithë ata që morën vendimin e duhur dhe u dorëzuan, morën ndihmën e parë dhe u dërguan në një vend të sigurt ", njoftoi administrata ukrainase për rusët e arrestuar.

Në të njëjtën kohë, në orët e para të 10 nëntorit, Forcat e Mbrojtjes të Ukrainës goditën depot e municioneve në rajonin Bryansk .Si rezultat i asaj që është zhvilluar në Kursk që nga vera, New York Times raporton, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe ukrainas, se komanda ruse ka mbledhur 50,000 trupa, duke përfshirë trupat nga Koreja e Veriut, për të përgatitur një kundërsulm për këtë zonë.

SHBA vlerëson se Rusia i ka grumbulluar këto forca pa pasur nevojë të tërheqë trupat e saj nga Ukraina lindore, gjë që i lejon Moskës të ushtrojë presion në disa fronte njëherësh. Sipas burimeve, trupat ruse kanë sulmuar tashmë pozicionet ukrainase në rajonin e Kurskut me raketa dhe artileri, por ende nuk kanë ndërmarrë një kundërsulm në shkallë të gjerë. Pala ukrainase po pret dhe po përgatitet për një kundërsulm rus në Kursk ku përfshihen trupat e Koresë së Veriut.

Aktualisht, koreano-veriorët po stërviten me forcat ruse në pjesën më të largët perëndimore të Kurskut. Sipas informacioneve që kanë Kievi dhe Uashingtoni, Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 10,000 ushtarë për të ndihmuar Rusinë në rajonin e Kurskut. Rusët po trajnojnë koreano-veriorët në zjarr artilerie, taktikat bazë të këmbësorisë dhe pastrimin e llogoreve. Stërvitje të tilla tregojnë se të paktën një pjesë e forcave të Koresë së Veriut do të angazhohen në sulme frontale kundër pozicioneve ukrainase.

lufta ukraine-rusi koreja e veriut

Sondazh

Poll