Aktualitet

Kontejnerët me lëndë të rrezikshme nesër në Durrës, nesër nis shkarkimi dhe ruajtja nën masa të rrepta sigurie

Puna për shkarkimin e kontejnerëve në total pritet të nisë që herët në mëngjes dhe procesi i shkarkimit parashikohet të zgjasë rreth 3 orë.

7 Nëntor 2024, 20:10 Nga I.A

Kontejnerët me lëndë të rrezikshme nesër në

DURRËS- Anija “Moliva”, që në bordin e saj ka 102 kontejnerë të dyshuar me mbetje të rrezikshme, pritet të ankorohet në orën 7 të mëngjesit në kalatën nr.7 në Terminalin e Kontejnerëve në portin e Durrësit. Puna për shkarkimin e kontejnerëve në total pritet të nisë që herët në mëngjes dhe procesi i shkarkimit parashikohet të zgjasë rreth 3 orë.

BalkanWeb shkruan se mësohet se 102 kontejnerët me mbetje të rrezikshme, për të cilat prokuroria e Durrësit ka vendosur sekuestrimin dhe ruajtjen nën masa të rrepta sigurie, do të spostohen drejt Porto Romanos në afërsi të EcoPark-ut, ku gjatë këtyre ditëve është krijuar një hapësirë e posatçme.

Transporti me kamion i kontejnerëve do të bëhet po ashtu nën masa të rrepta siguria, si dhe pritet të shoqërohet nga efektivë të forcave të rendit. Hapësira e dedikuar për vendosjen e kontejnerëve gjatë këtyre ditëve është një pronë e sekuestruar kohë më parë nga AAPSK (Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara). Ajo është rrethuar dhe në të janë vendosur kamera sigurie, ashtu siç dhe prokuroria e Durrësit ka kërkuar ditë më parë, në letrën drejtuar një sërë institucionesh vendore dhe jo vetëm.

Anija "Moliva" e ngarkuar me qindra tonelata mbetje industriale toksike që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme, ka mbërritur në orët e para 28 tetorit në brigjet shqiptare. Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

Pas një odiseje më shumë se 3 mujore lundrimi në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, mbërritën në portin e Durrësit, ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali. Pluhuri i dyshur, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer. Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.

anija “moliva”

Sondazh

Poll