Politike

"U ra dakord për shpeshtim të kontakteve!" Përfaqësues të ambasadës britanike vizitë në selinë e PD-së, takim me dy zyrtarë: U fol për domosdoshmërinë për qeveri teknike

Në takim mësohet se u diskutua situata politike, ku përfaqësuesit e PD i përcollën qëndrimet mbi domosdoshmërinë për qeveri teknike me synim sigurimin e standardeve minimale për zgjedhjet e vitit 2025.

16 Tetor 2024, 11:23 Nga M.B
"U ra dakord për shpeshtim të kontakteve!"
Foto nga takimi

TIRANA- Diplomatja Shakira Birtwhistle, e cila ndjek çështjet politike në Ambasadën Britanike në Tiranë, u takua sot në selinë e Partisë Demokratike me Drejtuesen e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë Ilda Zhulali dhe Drejtuesin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti. Në takim mësohet se u diskutua situata politike, ku përfaqësuesit e PD i përcollën qëndrimet mbi domosdoshmërinë për qeveri teknike me synim sigurimin e standardeve minimale për zgjedhjet e vitit 2025.

Sipas opozitës, kjo skemë e përdorur me sukses në Maqedoninë e Veriut mund dhe duhet të zbatohet në Shqipëri, si garanci minimale për zgjedhje garuese. Ata thonë se kjo përputhet dhe me dy rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR që kërkojnë marrjen e masave për keqpërdorimin e burimeve shtetërore si armë për tjetërsimin e votës dhe shitblerjen masive të votës përmes fondeve publike.

Gjithashtu bëhet me dije se përfaqësuesit e PD e informuam diplomaten britanike për sulmin politik të qeverisë ndaj opozitës, përmes burgosjes politike të Kryetarit të opozitës, Sali Berisha, nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Ervin Salianji, anëtarit të Këshillit Kombëtar, Jamarbër Malltezi, dhe kërcënimit publik drejtuar kryetarit të Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.

Në fund të takimit u ra dakord për shpeshtim të kontakteve mes Ambasadës Britanike dhe përfaqësuesve të PD. Prej kohësh në Partinë Demokratike vizitat nga faktori ndërkombetar kanë qenë të pakta, kjo për shkak të shpalljes së Sali Berishës 'non grata' nga SHBA dhe Britania e Madhe.

pd

Sondazh

Poll