Politike

Investimet dhe çmimet, Berisha: Po rritet pasuria e kryeministrit Edi Rama dhe ministrave dhe po varfërohen e mjerohen shqiptarët

Berisha tha se në vitin 2018, një pension ishte 31 përqind e rrogës minimale ndërsa sot, një pension është 26 përqind e rrogës minimale.

25 Shtator 2024, 20:40 Nga M.B
Investimet dhe çmimet, Berisha: Po rritet pasuria e kryeministrit Edi
Sali Berisha

TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot është cinike t’u tregosh shqiptarëve GDP-në, në një kohë kur ajo plaçkitet me rrënjë nga qeveritarët, zyrtarët dhe oligarkët. Berisha tha se në vitin 2018, një pension ishte 31 përqind e rrogës minimale ndërsa sot, një pension është 26 përqind e rrogës minimale. Ai shtoi se po rritet pasuria e kryeministrit Edi Rama dhe ministrave dhe po varfërohen e mjerohen shqiptarët.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Berisha: Çfarë investimi të madh ka pasur këto 11 vite, përveç atyre të trashëguara nga qeveria e mëparshme?

Të dashur miq, është cinike t’u tregosh shqiptarëve GDP-në, në një kohë kur ajo plaçkitet me rrënjë nga qeveritarët, zyrtarët dhe oligarkët. A e dini ju se jo në vitin 2013, por në vitin 2018, një pension ishte 31 përqind e rrogës minimale. Sot, një pension është 26 përqind e rrogës minimale. Po, po, rritet pasuria e Edi Ramës, Lubi Ballukut, Erion Veliajt, ministrave të tjerë, por varfërohen, mjerohen shqiptarët.

Vërtet u rritën rrogat, po sa janë rritur çmimet e ushqimeve? Çmimet e ushqimeve në raport me rritjen e rrogave janë rritur dy herë më shumë. Rriten vërtet, u dyfishua nga droga ekonomia. Më thoni mua çfarë investimi të madh ka pasur këto 11 vite, përveç atyre të trashëguara nga qeveria e mëparshme. Investimet e shekullit, TAP-it dhe Devollit dhe pastaj HEC-it të Fanit, etj. Nuk ka më investitorë, se tani ka oligarkë që ju vjedhin ju në mënyrë të pamëshirë dhe ky shkon e kapardiset si kaposh me vjedhjet e tij.

Sa u pasqyrua ky dyfishim i GDP-së në arsim? A nuk ra arsimi në pikiatë në rënien më poshtëruese që një vend mund të ketë pësuar me 68 pikë në 8 vite në matematikë? Po çfarë ndodhi? Çfarë solli ky dyfishim o miqtë e mi në kujdesin shëndetësor? A nuk solli ky dyfishim mungesat më të mëdha se kurrë në histori të ilaçeve bazë jetike për të sëmurët? A nuk solli ky dyfishim lënien jashtë përdorimit të aparaturave jetike për të sëmurët? A nuk solli ky dyfishim shpartallimin e kujdesit shëndetësor? A nuk është ky dyfishim pra një ndëshkim i vërtetë për qytetarët?

sali berisha

Sondazh

Poll