Bota

VIDEO/ Portugalia "pushtohet" nga zjarret, mijëra zjarrfikës në luftë me flakët

Temperaturat në Portugali kanë kaluar 30 gradë Celsius gjatë fundjavës dhe pritet të mbeten të larta për ditë të tëra.

17 Shtator 2024, 15:16 Nga E. D
VIDEO/ Portugalia "pushtohet" nga zjarret, mijëra zjarrfikës
pamje nga vendngjarja

PORTUGALI- Më shumë se 5.000 zjarrfikës janë duke "luftuar" me zjarret që kanë përfshirë Portugalinë. Kryeministri Louis Montenegro tha se ato janë përhapur në të gjithë vendin. Temperaturat në Portugali kanë kaluar 30 gradë Celsius gjatë fundjavës dhe pritet të mbeten të larta për ditë të tëra. Sipas mediave lokale, së paku dy persona kanë vdekur si pasojë e zjarreve.

“Dy persona janë konfirmuar të vdekur, deri më tani, pasi u zbuluan eshtrat e një burri që me sa duket punonte në një kompani pyjore dhe në të njëjtën zonë, një person tjetër vdiq nga një atak në zemër teksa po i afrohej zjarri. Dy persona ndodhen në spital me lëndime të rënda”, sipas shërbimit të mbrojtjes civile.

Autoritetet portugeze kanë paralajmëruar se ka rrezik që zjarret të shpërthejnë në shumë rajone qendrore dhe veriore të vendit deri të mërkurën, ndërsa kërcënimi do të mbetet “shumë i lartë” deri të premten. Dhjetë mijë hektarë tokë janë djegur tashmë midis Portos dhe Aveiros në veri. Po sipas raportimeve në media, spitalet në zonat e prekura janë duke pranuar njerëz me djegie, vështirësi në frymëmarrje dhe lëndime të tjera nga zjarret.

Gjithashtu policia i ka mbyllur autostradat, duke përfshirë rrugën kryesore midis Lisbonës dhe Portos. Së paku 12 zjarrfikës janë lënduar dy prej tyre më rëndë. BE-ja tha se do të dërgojë tetë avionë zjarrfikës në Portugali për ta ndihmuar këtë vend në shuarjen e flakëve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se blloku po mobilizohet urgjentisht dhe u kërkoi vendeve të tjera anëtare të dërgojnë po ashtu ndihma.

 

zjarret ne portugali

Sondazh

Poll