Politike

Votimi në Kuvend/ Deputetët socialistë nuk zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Olta Xhaçka mban mandatin si deputete

Në votimin e sotëm, deputetët socialistë i kanë dalë në mbrojtje koleges së tyre, duke mos e lëshuar mandatin e saj më Gjykatë Kushtetuese.

13 Shtator 2024, 00:44 Nga I.A

Votimi në Kuvend/ Deputetët socialistë nuk zbatojnë vendimin


TIRANË- 
Kuvendi nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Në votimin e sotëm, deputetët socialistë i kanë dalë në mbrojtje koleges së tyre, duke mos e lëshuar mandatin e saj më Gjykatë Kushtetuese. 

Edhe pse Gjykata në vendimin e saj, ka deklaruar qartë se vlefshmëria e mandatit të Xhaçkës duhet të vendoset nga GJK-ja. Në seancën e sotme, pro kërkesës së Kushtetueses, kanë votuar vetëm 25 deputetë të Opozitës. Ndërkohë që 9 deputetë socialistë kanë votuar kundër dhe 65 të tjerë kanë abstenuar. 39 deputetë të pranishëm në sallë kanë zgjedhur që të heshtin, duke mos marrë pjesë fare në votim.

Në përfundim të votimit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se nga dita e nesërme do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. 

“Kuvendi ka zbatuar gjithë procedurën parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqenëse ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar, që nesër si kryetare e Kuvendit do ti drejtohem komisionit të Venecias për të marrë një mendim të specializuar mbi standardet e zbatueshme në vendimmarrjet e pushtetit legjislativ, raportin dhe konkurrueshmërinë e parimeve të parashikuara në të drejtën kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, tha Spiropali.

Gjykata Kushtetuese ishte e qartë në qëndrimin e saj se çështja duhet të shqyrtohet prej saj, por mazhornaca ka vendosur t’i qëndrojë deri në fund mbrojtjes së deputetes socialiste. Në dy votime të mëparshme PS nuk ka pranuar të dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Olta Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën pasi ka votuar në kohën që ishte ministre për t’i dhënë pasuri publike bashkëshortit të saj Artan Gaçi i cili ka marrë statusin “investitor strategjik”.

Opozita e kërkoi papajtueshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetes Xhaçka dy vjet më parë, kur e quajti konflikt interesi faktin që kompania e bashkëshortit të saj, ish deputetit Artan Gaçi, mori statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një hotel turistik në jug të vendit.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën parashikohet të ngrihet hoteli. Trualli i blerë nga zoti Gaçi prej personave privatë rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit përmes falsifikimit të dokumentave, teksa sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Ish kryetari i bashkisë së Himarës Jorgo Goro u arrestua për dyshimet mbi pronësinë e kësaj sipërfaqeje toke.

olta xhacka

Sondazh

Poll