Bota

Situatë kritike në veri të Kosovës, hidhet lëndë plasëse afër ish-komunës paralele në Leposaviç

Njoftimi për këtë incident në veri vjen një ditë pasi Policia e Kosovës kreu një aksion në katër komunat në veri për mbylljen e pesë komunave serbe, që vepronin sipas sistemit të Serbisë.

31 Gusht 2024, 13:45 Nga I.A
Situatë kritike në veri të Kosovës, hidhet lëndë
Policia

KOSOVË- Policia e Kosovës tha se pas mesnatës është hedhur një mjet shpërthyen në afërsi të objektit ku më herët gjendej komuna që vepronte sipas sistemit të Serbisë. Në njoftimin e policisë tha se mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë shok-bombë.

“Nuk raportohet për lëndime, përderisa hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitet kompetente policore”, tha Policia e Kosovës.

Njoftimi për këtë incident në veri vjen një ditë pasi Policia e Kosovës kreu një aksion në katër komunat në veri për mbylljen e pesë komunave serbe, që vepronin sipas sistemit të Serbisë. Gjatë aksionit të 30 gushtit, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se janë mbyllur Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Ky aksion është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ka qenë veprim i pakoordinuar. Më herët gjatë vitit, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe. Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale. Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./REL

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll