Bota

Presidentja gjeorgjiane: Votimet e reja janë zgjedhje mes Evropës dhe Rusisë

Kjo deklaratë e Zurabishvilit vjen pasi ajo nënshkroi dekretin që shpall 26 tetorin ditë kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Ajo tha se votuesit do të zgjedhin “mes luftës dhe paqes”.

27 Gusht 2024, 22:10 Nga M.B
Presidentja gjeorgjiane: Votimet e reja janë zgjedhje mes Evropës dhe
Presidentja e Gjeogjisë, Salome Zurabishvili.

GJEORGJIA- Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, tha se zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen në tetor në shtetin e saj “do të jenë një zgjedhje mes Evropës dhe Rusisë” për shtetin e Kaukazit Jugor. Kjo deklaratë e Zurabishvilit vjen pasi ajo nënshkroi dekretin që shpall 26 tetorin ditë kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Ajo tha se votuesit do të zgjedhin “mes luftës dhe paqes”.

“Dita e vendimit, dita e zgjedhjes, disa e mbijetesës po vjen”, tha Zurabishvili, duke theksuar se zgjedhjet do të jenë “thelbësore” për ish-republikën sovjetike, të cilat “do të përcaktojnë fatin e shtetit për shumë vite të ardhshme”.

“Askush në Gjeorgji nuk dëshiron luftë, askush nuk po planifikon një luftë... Zgjedhje do të jetë mes të qenit skllav i Rusisë apo bashkëpunimit me Evropën”, shtoi Zurabishvili.

Pavarësisht aspiratës së kamotshme të Gjeorgjisë për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian, raportet e Qeverisë me Perëndimin janë përkeqësuar viteve të fundit, për shkak të kthimit të dukshëm të Tbilisit kah Rusia. Brukseli po ashtu ka ndërprerë bisedimet për anëtarësim me Tbilisin dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po “shqyrtojnë” raportet me Gjeorgjinë, pas miratimit të ligjit kundërthënës për “agjentët e huaj” u miratua nga Qeveria gjeorgjiane e udhëhequr nga Ëndrra Gjeorgjiane. Miratimi i këtij ligji nxiti protesta masive në Gjeorgji.

“Zgjedhja do të jetë ndërmjet dëgjimit të Russië përmes koncesioneve të tmerrshme dhe shitjes së shpirtit ndaj Rusisë apo të jemi shtet i barabartë në Evropë, të promovojmë identitetin tonë, historinë dhe mundësitë”, tha Zurabishvili.

Për vite të tëra, shoqëria civile në Gjeorgji ka kërkuar që shteti të largohet nga ndikimi i Rusisë, që ende ka mijëra trupa në Oseti të Jugut dhe Abkazi, dy rajonet e shkëputura gjeorgjiane që Moska i njeh si shtete të pavarura pas luftës pesëditore me Tbilisin më 2008./ REL

gjeorgjia

Sondazh

Poll