Bota

Mark Zuckenberg: Administrata Biden-Harris ushtruan presion për të censuruar amerikanët

Së bashku me dokumentet, kompania ka siguruar një duzinë punonjësish që të jenë në dispozicion për intervista të transkriptuara, duke theksuar bashkëpunimin e Meta-s me hetimin.

27 Gusht 2024, 09:22 Nga I.A
Mark Zuckenberg: Administrata Biden-Harris ushtruan presion për të
Mark Zuckerberg

SHBA- Themeluesi i Meta, Mark Zuckerberg, pranoi me një letër se kompania e tij, Facebook, ishte nën presion nga administrata Biden-Harris për të censuruar amerikanët, veçanërisht në lidhje me përmbajtjen e COVID-19. Zuckerberg e pranoi këtë me një letër drejtuar Kryetarit të Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, më shumë se një vit pasi i dha komisionit mijëra dokumente si pjesë e hetimit të tij për moderimin e përmbajtjes në platformat online. Së bashku me dokumentet, kompania ka siguruar një duzinë punonjësish që të jenë në dispozicion për intervista të transkriptuara, duke theksuar bashkëpunimin e Meta-s me hetimin.

“Po flitet shumë tani rreth mënyrës se si qeveria amerikane ndërvepron me kompani si Meta dhe unë dua të jem i qartë për pozicionin tonë. Platformat tona janë për të gjithë – ne jemi për të promovuar fjalën dhe për të ndihmuar njerëzit të lidhen në një mënyrë të sigurt. Si pjesë e kësaj, ne dëgjojmë rregullisht nga qeveritë në mbarë botën dhe të tjerë me shqetësime të ndryshme rreth diskursit publik dhe sigurisë publike”, shkroi Zuckerberg.

Ai i tha Jordan-it se në vitin 2021 “zyrtarë të lartë” nga administrata e Biden dhe Shtëpia e Bardhë “u bënë presion në mënyrë të përsëritur ekipeve tona për muaj të tërë për të censuruar disa përmbajtje të COVID-19, duke përfshirë humorin dhe satirën”.

Zuckerberg tha se kur Facebook nuk u pajtua me censurën, administrata e Biden shprehu shumë zhgënjim.

“Në fund të fundit, ishte vendimi ynë nëse do të hiqnim ose jo përmbajtjen dhe ne marrim vendimet tona, duke përfshirë ndryshimet që lidhen me COVID-19 që bëmë në zbatimin tonë në vazhdën e këtij presioni. Unë besoj se presioni i qeverisë ishte i gabuar dhe më vjen keq që nuk ishim më të hapur për këtë”, shkroi Zuckerberg.

Në vijim CEO i Meta-s shprehet “gjithashtu mendoj se kemi bërë disa zgjedhje që, me përfitimin e informacionit të ri, nuk do t’i bënim sot”.

“Siç u thashë ekipeve tona në atë kohë, ne nuk duhet të komprometojmë standardet tona të përmbajtjes ndaj presionit nga çdo administratë në të dyja drejtimet”, shtoi ai.

Komiteti fillimisht thirri Mete-n për dokumente dhe informacione më 15 shkurt 2023, në lidhje me moderimin e përmbajtjes dhe angazhimet e kompanisë me pushtetin ekzekutiv për të censuruar fjalën. Në atë kohë, komiteti po hetonte nëse dhe në çfarë mase dega ekzekutive ushtronte presion ose punonte me kompanitë private për të mbytur ose shtypur disa lloje fjalimesh me kërkesë të qeverisë, gjë që mund të ishte një shkelje e Amendamentit të Parë.

mark zuckenberg

Sondazh

Poll