Aktualitet

EMRAT/ Ngjarja e rëndë në azilin e të moshuarve, arrestohen dy infermieret për fshehje krimi

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme (8 gusht) ku 78-vjeçari Zyhdi Shehu goditi për vdekje me bastun 82-vjeçarin Virxhil Vesho.

9 Gusht 2024, 08:09 Nga S.B
EMRAT/ Ngjarja e rëndë në azilin e të moshuarve, arrestohen
Vesho dhe Shehu

TIRANË- Dy infermieret e turnit të cilat ishin dëshmitare të ngjarjes së rëndë në azilin e të moshuarve ditën e djeshme, janë arrestuar nga policia. Bëhet fjalë për Glesantina Saraç 26 vjeçe dhe Nazime Mulla 31 vjeçe, pasi në bashkëpunim me njëra-tjetrën kanë tentuar të fshehin krimin si dhe nuk kanë njoftuar organet kompetente.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme (8 gusht) ku 78-vjeçari Zyhdi Shehu goditi për vdekje me bastun 82-vjeçarin Virxhil Vesho. Shehu është person i njohur në qytetin e Kavajës. Kjo pasi ka disa publikime në fushën e historisë, madje vitin e kaluar është shpallur edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës. 

Dyshohet se të dy të moshuarit vuanin nga skleroza dhe flinin në një dhomë. Shkaku i zënkës së tyre ka qenë një krevat, pasi dyshohet se 82-vjeçari ishte shtrirë në krevatin e Shehut. 

Njoftimi i Policisë:

Tiranë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 08.08.2024, ndodhur në një azil privat për të moshuarit, ku shtetasi Zyhdi Shehu 78 vjeç, ka goditur me bastun shtetasin Virxhil Vesho, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset Glesantina Saraç 26 vjeçe, dhe Nazime Mulla 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit.

Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë konsumuar veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.

Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

azil tirane

Sondazh

Poll