Bota

Protestat e dhunshme kundër emigrantëve në Britani intensifikohen/ Gjithçka nisi nga keqinformimi në internet pas vrasjes së të miturave, Musk i "hodhi benzinë zjarrit"

Vrasjet u shfrytëzuan nga grupe anti-imigruese dhe anti-myslimane pasi informacioni i rremë u përhap në internet se i dyshuari për vrasjet ishte një islamist që sapo kishte mbërritur në Britani.

5 Gusht 2024, 11:56 Nga r.ll
Protestat e dhunshme kundër emigrantëve në Britani
trazirat ne britani

BRITANI- Kryeministri britanik Keir Starmer do të mbajë sot një takim urgjent të shefave të policisë pasi ditët e protestave të dhunshme kundër emigrantëve janë intensifikuar, me ndërtesat, automjetet e djegura dhe hotelet ku strehohen azilkërkuesit në shënjestër.

Trazirat shpërthyen në qytete dhe qyteza javën e kaluar pasi tre vajza u vranë në një sulm me thikë në Southport në Anglinë veriperëndimore. Deri më tani janë arrestuar 420 persona.

Vrasjet u shfrytëzuan nga grupe anti-imigruese dhe anti-myslimane pasi informacioni i rremë u përhap në internet se i dyshuari për vrasjet ishte një islamist që sapo kishte mbërritur në Britani. Policia njoftoi se i dyshuari në fakt ka lindur në Britani dhe se vrasjet nuk po i trajtojnë si incident terrorist.

Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper tha se protestuesit u ndjenë "të guximshëm nga ky incident për të nxitur urrejtje racore". Ata hodhën tulla ndaj oficerëve të policisë, plaçkitën dyqanet dhe xhamitë dhe sulmuan bizneset në pronësi aziatike.

Gjatë fundjavës, trazirat shpërthyen në Liverpool, Bristol, Tamworth, Middlesbrough dhe Belfast në Irlandën e Veriut, me të rinj të maskuar të veshur me flamuj britanikë duke hedhur gurë dhe duke bërtitur "Ndaloni anijet", një referencë për emigrantët që kanë mbërritur vitet e fundit në brigjet jugore britanike. Në Rotherham, Anglia veriore, protestuesit u përpoqën të hynin në një hotel ku strehohenin azilkërkuesit.

Policia ka theksuar se dhuna është nxitur nga dezinformatat në internet, të cilat përhapen nga persona të profilit të lartë. Një nga figurat më të spikatura, Stephen Yaxley-Lennon, i cili drejton organizatën anti-islamike English Defense League, është akuzuar nga media për përhapjen e informacionit të rremë midis 875,000 ndjekësve të tij në rrjetet sociale X.

Elon Musk , pronari i X, gjithashtu kontribuoi në dhunë. Duke iu përgjigjur një postimi në X që fajësonte emigracionin masiv dhe hapjen e kufijve për trazirat në Britani, ai shkroi: "Lufta civile është e pashmangshme".

Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper tha në televizion se tensionet ishin shumëfishuar dhe ndezur përmes internetit dhe se qeveria do ta ngrinte çështjen me kompanitë e mediave sociale.

"Unë mendoj se ajo që patë është se rrjete njerëzish dhe organizatash të ndryshme u përpoqën t'i hidhnin benzinë ​​zjarrit," tha ministrja duke shmangur pyetjet nëse ishin përfshirë shtete të huaja.

Ndërsa ai tha se njerëzit kanë mendime dhe shqetësime për çështje të tilla si emigracioni, ai fajësoi për dhunën organizatat ekstremiste, raciste dhe të dhunshme.

"Njerëzit e arsyeshëm që kanë këto lloj pikëpamjesh dhe shqetësimesh nuk marrin tulla dhe i hedhin në drejtim të policisë," tha ai.

protesta ne britani

Sondazh

Poll