Sport

Trishtuese, pas 70 vitesh shembet dinastia, "epoka Maldini" merr fund te Milani…

Daniel Maldini, anëtari i fundit i klanit, la kuqezinjtë dhe u nis për në Monza

31 Korrik 2024, 16:25 Nga DOSJA
Trishtuese, pas 70 vitesh shembet dinastia, "epoka Maldini" merr fund

ITALI - Një histori që filloi në vitin 1954 dhe tani përfundon në vitin 2024. 70 vjet më vonë, emri Maldini nuk do të jetë më i pranishëm në stafin e Milanit. Daniel Maldini, anëtari i fundit i klanit, u largua përfundimisht nga kuqezinjtë dhe u nis për në Monza.

Dinastia Maldini në Milano filloi me Cesare, në vitin e largët 1954. Si lojtar, patriarku i familjes luajti 390 ndeshje për italianët, midis viteve 1954 dhe 1966. Më vonë u kthye si trajner, në dy raste. E para midis 1972 dhe 1974 dhe e dyta në 2001.

Maldini i dytë që veshi fanelën kuqezi të klubit, ishte ai që pati ndikimin më të madh te skuadra e Milanit. Paolo Maldini kaloi të gjithë rininë e tij, duke u stërvitur në klub dhe bëri debutimin e tij për ekipin e parë në 1985. Më pas ai kaloi 25 vite radhazi si lojtar kuqezi, shumë prej të cilave si kapiten dhe figura kryesore e Milanit.

Në total, ai luajti 902 ndeshje rrëqethëse për italianët, ku fitoi 25 tituj mbresëlënës. Ai u tërhoq nga fusha në vitin 2009, në moshën 41-vjeçare, por u kthye në klub në vitin 2018, në postin e drejtorit sportiv, të cilin e mbajti deri në vitin 2023.

Anëtari i tretë dhe i fundit i familjes Maldini, që përfaqësoi kolosin italian ishte Danieli. Më pak i suksesshëm se babai i tij, Paolo, dhe gjyshi, Cesare, mesfushori sulmues luajti vetëm 24 ndeshje për klubin, pasi kaloi të gjithë stërvitjen e tij me klubin verior italian. Pasuan huazimet te Spezia, Empoli dhe Monza, të cilët tani e blejnë lojtarin përgjithmonë, duke i dhënë fund kështu epokës së Maldinit te Milani.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll