Aktualitet

GJKKO: Inceneratori, grup i strukturuar kriminal

Ndryshimi i akuzës rëndon pozitat e zyrtarëve të arrestuar për shkelje dhe abuzim me procedurat që i dhanë dyshes Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, një vepër e cila ende nuk është ndërtuar.

5 Korrik 2024, 16:59 Nga M.B
GJKKO: Inceneratori, grup i strukturuar kriminal
Foto ilustruese

TIRANA- 1 muaj pasi masa i ishte ndryshuar në arrest shtëpie, anëtari i Komisionit të Dhënies së Koncesionit për inceneratorin e Tiranës, Namik Simixhiu rikthehet në qeli por kësaj here me 2 akuza të reja.

ZËRI pikasi një element të ri në njoftimin që Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpërndau në komunikimin e sotëm për mediat. GJKKO njofton ndryshimin e vendimit për Namik Simixhiun dhe kthimin e tij në burg, ndërkohë që sqaron akuzat ndaj Simixhiut i cili u arrestua nga SPAK në 9 dhjetor të vitit 2023 bashkë me zyrtarë të tjerë të bashkisë Tiranë.

GJKKO njofton se Simixhiu është i dyshuar për 3 akuza, "shpërdorim detyre" kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas 3 neneve të Kodit Penal, nenit 28, 248 dhe 334. 

"Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal shtrëngues të “arrestit në burg” për të hetuarin z. N.S., caktuar me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas neneve 28, 248, 334 të Kodit Penal", thuhet në vendim.

Ndërkohë që në vendimin e datës 09 dhjetor 2023, SPAK, sqaronte se Simixhiu i arrestuar në atë kohë bashkë me Etleva Kondin, Taulant Tushen, Erjon Muratajn dhe disa nga anëtarët e tjerë të Komisionit të dhënies së Koncensioneve për inceneratorin e Tiranës, akuzoheshin vetëm për shpërdorim detyre. 

"Shtetasit Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Etleva Kondi, Alba Thoma, Bledar Karoli, Valbona Ballgjini, Sidita Temali, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Silena Tola, Jetmir Llapaj, dyshohen se kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 të Kodit Penal", njoftonte SPAK në 09 dhjetor 2023. 

Ende është e paqartë përse akuzat për Simixhiun janë rënduar por qartësisht shihet se në këtë rikthim në burg, ka rënë neni 25 i Kodit Penal dhe janë shtuar dy nene të reja si 28 dhe 334, duke e çuar zyrtarisht në gjykim me akuzën e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. 

Ndryshimi i akuzës rëndon pozitat e zyrtarëve të arrestuar për shkelje dhe abuzim me procedurat që i dhanë dyshes Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, një vepër e cila ende nuk është ndërtuar. 

Namik Simixhiu ishte pjesë e Komisionit që do të duhet të vlerësonte dokumentacionin për ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës nga ITS, koncesion i fituar nga “Integrated Energy B.V SPV”, një shoqëri tregtare pas të cilës Prokuroria thotë se fshihet Zoto dhe Mërtiri, një investim që do të duhet të kapte vlerën e 128 milionë eurove. 

Përbërja e komisionit për koncesionin e Inceneratorit të Tiranës, kryetare kishte Valbona Ballgjinin dhe anëtar: Pëllumb Abeshin, Erjon Muratajn, Sidita Temalin, Etleva Kondin, Taulant Tushën dhe Namik Simixhiun.

Më konkretisht, Anëtarët e Komisionit ku përfshihej edhe Simixhiun i dhanë bonusin ITS pa hartuar një raport përmbledhës ku do të duhet të sqaroheshin kostot e projektit. Ata gjithashtu pajisën Zoton dhe Mërtirin me të gjithë dokumentacionin që duhej për tu shpallur fituesë. Edhe dokumentet standarte të kritereve të këtij koncesioni nuk u hartuan nga Anëtarët por nga Zoto, i cili kishte akses të plotë në sistem./Zëri.ai

inceneratori i tiranes

Sondazh

Poll