Aktualitet

Ndarja nga jeta e poetit Agim Doçi/ Reagojnë figurat publike: Vargjet e tua të arta do të jetojnë përgjithmonë mes nesh...

Ai pësoi të shtunën e 22 qershorit hemorragji celebrale dhe prej disa ditësh ndodhej në reanimacion. 

24 Qershor 2024, 11:11 Nga S.B
Ndarja nga jeta e poetit Agim Doçi/ Reagojnë figurat publike:
Agim Doçi

TIRANË- Poeti dhe tekstshkruesi i mirënjohur shqiptar Agim Doçi është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Ai pësoi të shtunën e 22 qershorit hemorragji celebrale dhe prej disa ditësh ndodhej në reanimacion. 

Doçi ishte autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë perfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Pas ndarjes së tij nga jeta kanë reaguar edhe disa persona nga sfera të ndryshme duke nisur nga politika si dhe arti.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka reaguar me anë të një postimi në Facebook ku shprehet se artisti i poezisë do të jetojë në këngët, të cilave u dha jetë.

“Zemra e Agim Doçit, poetit të talentuar, autorit të teksteve të shumë e shumë këngëve të ndjera kushtuar Shqipërisë dhe Kosovës, të dhjetra çmimeve të fituara në festivale, që i këndoi pa pushim jetës, atdheut, lirisë, dashurisë dhe njerëzve, pushoi së rrahuri. Por artisti i poezisë do të jetojë në këngët, të cilave u dha jetë. U prehsh në paqe, Mjeshtër.”

Një tjetër figurë politike, Lulzim Basha tha për Doçin se ishte shembull i artit që mbart vlera të vërteta artistike dhe kulturore. Basha shprehu ngushëllimet për të afërmit, miqtë dhe kolegët e poetit të ndjerë.

“I trishtuar nga lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta i poetit të muzikës Agim Doçi! Një personalitet i apasionuar, një shpirt i pasur dhe një tekstshkrues këngësh brilante, Doçi ishte shembull i artit që mbart vlera të vërteta artistike dhe kulturore. Ngushëllimet e mia më të sinqerta! Mendimet dhe lutjet për familjen Doçi, të afërmit, miqtë dhe kolegët! Le të prehet në paqen e merituar!”

Kantautori i njohur Elton Deda e ka cilësuar poetin si të shtrenjtë, duke thënë se ka lënë shumë për tu kujtuar.

“Lamtumirë, Gim i shtrenjtë. Ke lënë plot për tu kujtuar. Ngushëllime familjarëve.”

Kompozitori shqiptar dhe miku i poetit Agim Doçi, Edmond Zhulali u shpreh se vargjet e arta të poetit do të jetojnë gjithmonë mes nesh, madje ka vënë theksin tek dashuria e Doçit për Kosovën. Zhulali thotë se vargjet e Doçit janë një gjerdan i çmuar në piedestalin e lirisë.

“Lamtumire AGIM DOÇI poeti i shquar i artit shqiptar, miku im i paharruar bashkepunetori,im me i ngushte e me i suksesshem,krijues i kengeve pafund me sa e sa kompozitore e kengetare nga gjithe trevat shqiptare. Sot u ndave nga ne per te mos u larguar kurre me vargjet e tua te arta qe do te jetojne pergjithmone mes nesh. Inxhinier, poet, njeri publik,antikonformist,gazetar,publicist,njeri me kurajo e humor te gjitha ne nje talent te rralle njerezor. Ti e doje aq shume Kosoven e vargjet tua te arta jane nje gjerdan i cmuar ne  piedestalin e lirise se saj e per kete u perjetesove e u njehsove si nje luftetar i UÇK me titullin “Veteran” i luftes se Kosoves. Mirenjohje per kontrubutin tend te madh.”

Shkrimtarja dhe politikania e njohur Flutura Açka e cilësoi Doçin në reagimin e saj si një poet të rafinuar dhe të mbindjeshëm.

“Askush nuk bëri sarkazëm me veten, sa ai. “Unë jam tekstshkrues”, thoshte, por ishte poet i rafinuar, i mbindjeshëm. Pusho në paqe, Agim Doçi. Ngushëllime tē thella familjes e të njohurve e miqve!”

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në reagimin e tij tha se Doçi ishte mjeshtër i penës, i vargut të papërsëritshëm poetik dhe i këngëve që do të këndohen në breza. Gjithashtu Meta thot se kujtimi i artistit të madh e shumëdimensional do të mbetet i paharruar.

“Lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të poetit tonë të madh Agim Doçi është ende i pabesueshëm për mua dhe për të gjithë ata, që patën fatin ta njohin nga afër, të ndanin miqësi me të, të lexonin poezitë e jashtëzakonshme emocionuese apo të dëgjonin tekstet e këngëve frymëzuese të shkruara prej tij. Mjeshtër i penës, i vargut të papërsëritshëm poetik dhe i këngëve që do të këndohen në breza, ai trokiti çdo zemër artdashësi për t'u përjetësuar me krijimtarinë e pasur artistike që na la trashëgim. Me karakter dhe personalitet të fortë si bir i denjë i Mirditës fisnike, besnik i vlerave të Lirisë, mendje e ndritur dhe kritike, patriot frymëzues, që aq shumë e deshi Shqipërinë e Kosovën, kujtimi i këtij artisti të madh e shumëdimensional do të mbetet i paharruar. "Marshi i UÇK" i Agim Doçit do të jetë gjithmonë frymëzim i përpjekjet tona për mbrojtjen e vlerave të Lirisë dhe kombit shqiptar! Ngushëllimet më të ndjera për familjen e dashur Doçi, bashkëpunëtorët, komunitetin e nderuar të artistëve dhe të gjithë të apasionuarit pas letërsisë e këngës! Të prehet në paqen e merituar!”

poeti agim doçi

Sondazh

Poll