Bota

Mbështetja ndaj Trump, republikanët gati të shpenzojnë 100 mln dollarë për reklama

Budowich e vë theksin në veçanti tek shteti i Xhorxhias si mundësia më e mirë për Trump që të sigurojë votat e nevojshme të kolegjit elektoral.

5 Qershor 2024, 21:49 Nga E. D
Mbështetja ndaj Trump, republikanët gati të shpenzojnë 100
Donald Trump

SHBA- Një grup i madh donatorësh që mbështet kandidatin e pritshëm republikan presidencial Donald Trump, grumbulloi afro 70 milionë dollarë fonde muajin e kaluar dhe planifikon të shpenzojë 100 milionë dollarë për reklama gjatë verës në shtetet vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Dokumenti i 4 qershorit, i hartuar nga shefi ekzekutiv i grupit MAGA Inc. Taylor Budowich, detajon planet për shtetet e Pensilvanisë, Xhorxhias, Nevadës dhe Arizonës ku ish-presidenti Trump humbi në vitin 2020 ndaj Presidentit të Shteteve Bashkuara, demokratit Joe Biden, por ku disa sondazhe tregojnë se Trump kryeson para zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Budowich e vë theksin në veçanti tek shteti i Xhorxhias si mundësia më e mirë për Trump që të sigurojë votat e nevojshme të kolegjit elektoral. Grupi politik republikan tha se do të punonte për të dobësuar shanset e Presidentit Biden për fitore në zgjedhjet presidenciale, si në nivel gjeografik ashtu edhe atë demografik. Sipas dokumentit të hartuar nga Budowich ka pasur një rritje të mbështetjes së Trump në mesin e votuesve afrikano-amerikanë, votuesve hispanikë meshkuj dhe votueseve të bardha femra në zonat e periferisë.

“Ky ndryshim nuk është vetëm i ndjeshëm në planin statistikor, por përbën gjithashtu një krizë ekzistenciale për ekipin (presidentit) Biden”, thuhet në dokument.

Sipas një sondazhi të kryer në maj nga agjencia Reuters dhe organizata e sondazheve Ipsos, Presidenti Biden po humb mbështetje mes votuesve pa arsim të lartë, një grup i gjerë që përfshin afrikano-amerikanë, gra hispanike, votues të rinj dhe gratë në zonat periferike. Ekipi elektoral i Bidenit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Kontributet e konsiderueshme të mbledhura në maj nga MAGA Inc. tregojnë përmirësimin e ndjeshëm të aftësive për të grumbulluar fonde nga ekipi i Trump, pasi fillimisht ishte në disavantazh në këtë drejtim ndaj Biden.

Në prill, ish-presidenti Trump grumbulloi për herë të parë më shumë fonde sesa Biden që kur filloi fushata, falë disa aktiviteteve madhore në shkallë kombëtare. Donatorët e fuqishëm republikanë kanë konsoliduar gjithashtu mbështetjen ndaj Trump pasi ai u shpall fajtor për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit, në një skemë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016. Ata kanë premtuar të japin miliona dollarë për amerikanin e parë që shpallen fajtor që kandidon për Shtëpinë e Bardhë. Fushata e Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan thanë të hënën se kishin grumbulluar 141 milionë dollarë në maj, gati dyfishi i shumës së mbledhur një muaj më herët.

donald trump

Sondazh

Poll