Politike

Pse e mbylli AKEP faqen JOQ? Njoftimi: Na e kërkoi policia, shkeli ligjin për mbrojtjen civile

30 Nëntor 2019, 11:05 Nga DOSJA

TIRANE– Faqja interaktive JOQ është e mbyllur që prej mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që siç thuhet në njoftimin zyrtar të AKEP, (Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare), ky vendim është marrë pas një kërkese që ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.  AKEP sqaron se JOQ, ka shkelur ligjin për mbrojtjen civile në rastin e raportimit të lajmeve të tërmetit. Por pse u mbyll JOQ? 

Dy ditë më parë Policia e Shtetit njoftoi se ishin proceduar Erland Dalliu dhe Gentian Çengeli, administratorë të faqes Jeta Osht Qef pasi kanë lejuar përhapjen e panikut me lajme destabilizuese, pas tërmetit që goditi vendin. Lajmi për të cilin u proceduan administratorët e JOQ, është një fotografi e shpërndarë në Instagram, ku në inbox-in e JOQ kishte shkuar një mesazh denoncim nga qytetarët se në morgun e Tiranës, kishte dhjetra trupa të vdekur.

Njoftimi i plotë:

Përshëndetje, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPP), ka njoftuar zyrtarisht AKEP që nisur nga situata e krijuar në vendin tonë mbas tërmetit të datës 26.11.2019, me gjithë punën e bërë nga të gjitha autoritetet shtetërore dhe mediat publike për sqarimin dhe sensibilizimin e qytetareve, ka ende shtetas, portale apo subjekte të ndryshme të cilët duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe portale të ndryshme, përhapin informacione të rreme, mashtrojnë, dezinformojnë si dhe hapin llogari të ndryshme për të përhapur panik, apo edhe për të përfituar nga situata e krijuar. Për sa më sipër, DPP kërkon nga AKEP mbylljen e domaineve “joq.al”, “jetaoshqef.al” dhe “joqalbania.com”, për shkak se kanë shkelur kërkesat e Ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”.

 

AKEP, në cilësinë e organit rregullator në fushën e komunikimeve elektronike, në ushtrim të kompetencave ligjore për mbikqyrjen, monitorimin dhe kontrollin e veprimtarisë së sipërmarrësve të rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përmbushje të qëllimeve dhe objektivave rregullatore të përcaktuar në Ligjin Nr.9918 datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, dhe aktet e tjera nënligjore të nxjerrë në zbatim të tij, Ju sjell në vëmendje si më poshtë:

Referuar gërmës e), të nenit 15 të Ligjit Nr.9918, gërmës e), pika 1, e nenit 9, si dhe pika 9 e Aneksit E, të Rregullores nr.47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë rigorozisht detyrimin ligjor për të marrë masat e duhura juridike dhe teknike për kufizimin e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme.

Sa më sipër, AKEP ju kërkon mbylljen e menjëhershme dhe urgjente të aksesit në internet të domaineve: joq.al, jetaoshqef.al dhe joqalbania.com.

Kujtojmë se çdo sipërmarrës pas marrjes së njoftimit nga AKEP, është i detyruar të veprojë menjëherë për ndërprerjen dhe bllokimin e transmetimit me përmbajtje të paligjshme të domaineve më sipër. Gjithashtu, kërkohet konfimimi në AKEP nga secili sipërmarrës, për ndërprerjen dhe bllokimin e transmetimit me përmbajtje të paligjshme, të këtyre domaineve.

Moskthimi i përgjigjes do të konsiderohet si mosveprim nga ana juaj. Ju kujtojmë që moszbatimi i këtij detyrimi ligjor ndëshkohet me gjobë sipas nenit 137 të Ligjit Nr. 9918 datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Shkresa zyrtare e AKEP do t’ju vijë e protokolluar me email.

Duke ju falenderuar per bashkëpunimin dhe mirëkuptimin,

Në pritje të konfirmit tuaj,

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – (AKEP)
Rruga “Reshit Çollaku”, Tiranë, Shqipëri
Tel: +355 4 2259 572Call: +355 4 2259 572
Fax:+355 4 2259 106
e-mail: [email protected]

(F.g/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike akep mbyll joq rama mbyll joq tragjedia e 26 nentorit 2019 akep mbyll joq rama mbyll joq tragjedia e 26 nentorit 2019

Sondazh

Poll