Sport

"Euro 2024"/ Zbulohen disa nga kuqezinjtë e Kombëtares të ftuar nga Sylvinho...

Trajneri Sylvinho ka një listë prej 45 lojtarësh, bashkë me ata që do të qëndrojnë në listë pritjeje, ndërkohë që deri më 7 qershor është afati përfundimtar i UEFA-s për dorëzimin e listës së futbollistëve që do të marrin pjesë në Europian.

27 Maj 2024, 14:12 Nga DOSJA
"Euro 2024"/ Zbulohen disa nga kuqezinjtë e Kombëtares

TIRANE - Pasditen e sotme në orën 16:00, trajneri i Kombëtares do të zbulojë 26 lojtarët që do të jenë pjesë e Europianit “Gjermani 2024”.

Një pjesë e lojtarëve kanë filluar të mbërrijnë dhe dalngadalë janë zbuluar disa emra, të cilët do të jenë pjesë e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë dhe shqiptarët në aktivitetin më të madh të futbollit të Kontinentit të Vjetër.

Kështu deri më tani kanë mbërritur Asani, Muçi, Uzuni, Broja, Mihaj, Gjasula, portierët Kastrati dhe Simoni, ndërkohë që këta të fundit pritet të jenë 4, pasi do të jetë edhe Berisha me Strakoshën. Ky do të jetë edhe reparti i prekur nga shkurtimet pas grumbullimitë, që më 31 maj do të fillojë në Austri.

Gjithsesi, të pakta do të jenë surprizat e kësaj liste, pasi pjesa kryesore do të mbeten lojtarët që arritën ta çojnë këtë skuadër deri në finalet e këtij Europiani, pas një fushate kualifikuese perfekte, ku për herë të parë në historinë e futbollit tonë, arritëm të jemi të parët në grup.

Në total, trajneri Sylvinho ka një listë prej 45 lojtarësh, bashkë me ata që do të qëndrojnë në listë pritjeje, ndërkohë që deri më 7 qershor është afati përfundimtar i UEFA-s për dorëzimin e listës së futbollistëve që do të marrin pjesë në Europian.

Kujtojmë që përfaqësuesja jonë do të zhvillojë dy ndeshje miqësore përpara Europianit, gjatë grumbullimit në Austri, takimi i parë do të jetë më 3 qershor ndaj Lihteshtejnit dhe më 7 qershor ndaj Azerbajxhanit.

Më pas me 8 qershor skuadra do të niset për në Gjermani dhe do të jetë me shumë gjasë skuadra e parë mes 24 ekipeve që do të mbërrijë në qendrën e saj kuqezi në Kaizerau.

Shqipëria do të luaj ndeshjen hapëse të këtij europiani përballë Italisë më 15 qershor në Dortmund, më 19 qershor ndaj Kroacisë në Hamburg dhe më 24 qershor ndaj Spanjës në Dyseldorf.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll