Bota

Prokurorja Willis do të apelojë vendimin për hedhjen poshtë të disa akuzave ndaj Trump

Prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis, e cila mbikëqyr çështjen në fjalë, tha se vendimi i një gjykate apeli të shtetit të Xhorxhias për të shqyrtuar kërkesën e zotit Trump për skualifikimin e zyrës së saj nga çështja, gjithashtu e lejon gjykatën që të shqyrtojë vendime të tjera.

24 Maj 2024, 07:36 Nga N.F
Prokurorja Willis do të apelojë vendimin për hedhjen poshtë
Fani Willis

SHBA- Prokurorët në Xhorxhia thanë të enjten se do të apelojnë vendimin e gjykatësit që hedh poshtë disa akuza penale në çështjen kundër kandidatit republikan për president, Donald Trump, dhe disa prej aleatëve të tij, për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020.

Prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis, e cila mbikëqyr çështjen në fjalë, tha se vendimi i një gjykate apeli të shtetit të Xhorxhias për të shqyrtuar kërkesën e Trump për skualifikimin e zyrës së saj nga çështja, gjithashtu e lejon gjykatën që të shqyrtojë vendime të tjera. Kjo është një nga katër çështjet penale me të cilat përballet republikani Trump, i cili kandidon përballë Presidentit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit për Shtëpinë e Bardhë.

Prokurorja Fani Willis tha se do t'i kërkonte gjykatës së apelit që të anulonte vendimin e marsit të marrë nga gjykatësi Scott McAfee, i cili hodhi poshtë gjashtë akuza, përfshirë tre që rëndonin kundër Trump, që akuzonin të pandehurit për presion ndaj zyrtarëve të Xhorxhias për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Gjykatësi McAfee tha se aktpadia nuk kishte detaje të mjaftueshme për të mbështetur akuzat në fjalë, ndërsa la të paprekur pjesën tjetër të çështjes. Gjykata e apelit në Xhorxhia po shqyrton kërkesën për largimin e prokurores Willis nga hetimet ndaj Trump dhe tetë të akuzuarve të tjerë, me argumentin se marrëdhënia e saj intime me prokurorin e posaçëm Nathan Wade përbën konflikt interesi.

Në muajin mars, gjykatësi i qarkut Fulton, Scott McAfee arriti në përfundimin se nuk kishte konflikt interesi dhe prokurorja Willis mund të vazhdonte të drejtonte hetimet, por ai pranoi kërkesën e Trump dhe të pandehurve të tjerë për ta dërguar çështjen në apel. Ish-presidenti Trump dhe 14 persona të tjerë, ndaj të cilëve janë ngritur padi, kanë deklaruar se janë të pafajshëm për akuzat e ngritura. Katër të pandehur të tjerë kanë pranuar fajësinë.

Marrë nga VOA

fani willis trump

Sondazh

Poll