Aktualitet

15 vite jashtë sistemit të drejtësisë/ Reagon Alfred Balla: Vendim i turpshëm i KPA

Sipas tij Kolegji vendosi të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun e tij si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.

21 Maj 2024, 19:14 Nga r.ll
15 vite jashtë sistemit të drejtësisë/ Reagon Alfred Balla:
alfred balla

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për 15 vite kreun e KLP-së, Alfred Ballën. Ky i fundit ka reaguar pas vendimit përmes një postimi në rrjetet sociale

Ai e konsideron një vendim të turpshëm vendimin e KPA. Sipas tij Kolegji vendosi të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun e tij si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë. Balla shprehet se nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj tij.

REAGIMI:

Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua.

Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat.

Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj. Më keq me vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…

15 vite jashtë sistemit të drejtësisë/ Reagon Alfred Balla:

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka kaluar ditën e sotme në vetting në shkallën e dytë, kreun e KLP, Alfred Balla, ankimuar nga Komisioneri Publik. Pas shqyrtimit të rastit, KPA vendosi largimin nga sistemi të Ballës. Sipas KPA-së, Alfred Balla nuk duhet që të ushtrojë funksione publike për 15 vitet e ardhshme.

"Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si I tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare.”, thuhet në njoftim.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtar.

alfred balla kolegji i posaçëm i apelimit

Sondazh

Poll