Bota

BE dhe NATO dënojnë sulmet kibernetike ruse kundër Gjermanisë dhe Çekisë

NATO dhe BE ia adresojnë fajin APT28, (Advanced Persistent Threat Act 28), një grup spiunazhi kibernetik i lidhur me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU). 

3 Maj 2024, 16:08 Nga r.ll
BE dhe NATO dënojnë sulmet kibernetike ruse kundër
foto ilustruese

BRUKSEL- Bashkimi Evropian dhe NATO kanë dënuar me forcë sulmet kibernetike të kryer nga APT28, një grup spiunazhi kibernetik, i kontrolluar nga Rusia kundër Gjermanisë dhe Republikës Çeke.

"Fushata keqdashëse kibernetike tregon modelin e vazhdueshëm të sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë në hapësirën kibernetike, duke synuar institucionet demokratike, entitetet qeveritare dhe ofruesit e infrastrukturës kritike në të gjithë Bashkimin Evropian dhe më gjerë," tha në një deklaratë ditën e sotme, Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të bllokut, në emër të 27 shteteve anëtare.

"BE nuk do të tolerojë sjellje të tilla keqdashëse, veçanërisht aktivitete që synojnë të degradojnë infrastrukturën tonë kritike, të dobësojnë kohezionin shoqëror dhe të ndikojnë në proceset demokratike," shtoi ai, duke iu referuar zgjedhjeve të qershorit për Parlamentin Evropian.

Duke përdorur një gjuhë të ngjashme kritike, NATO i bëri thirrje Moskës që të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe theksoi se aleanca do të përdorë aftësitë e nevojshme për të penguar, mbrojtur dhe kundërshtuar spektrin e plotë të kërcënimeve kibernetike, shkruajnë mediat e huaja. 

NATO dhe BE ia adresojnë fajin APT28, (Advanced Persistent Threat Act 28), një grup spiunazhi kibernetik i lidhur me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU).  Në Gjermani, APT28 akuzohet për kompromentimin e llogarive të postës elektronike të anëtarëve të Partisë Social Demokrate (SPD), forca kryesore në koalicionin qeverisës. Berlini tashmë ka thirrur për shpjegime të ngarkuarin me punë të ambasadës ruse.

“Kjo është absolutisht e patolerueshme dhe e papranueshme dhe do të ketë pasoja”, tha Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock. Në Republikën Çeke, grupi thuhet se ka shënjestruar disa institucione shtetërore duke shfrytëzuar një vulnerabilitet të panjohur më parë në Microsoft Outlook, tha të premten ministria e punëve të jashtme të vendit.

Publikimi i gjetjeve nga të dy vendet nxiti deklaratat denoncuese të BE-së dhe NATO-s, të cilat u publikuan pothuajse njëkohësisht. Sulmet kibernetike vijnë mes një atmosfere të alarmit të lartë në Evropën Lindore dhe Veriore mbi rreziqet që vijnë nga lufta hibride ruse. Ditët e fundit, Estonia, Letonia, Lituania, Suedia dhe Finlanda kanë dhënë alarmin për bllokimin e sinjaleve GPS, gjë që detyroi linjën ajrore finlandeze Finnair të pezullojë shërbimet për Tartu, një qytet në Estoni. Fenomeni shihet si një përpjekje e re e Kremlinit për t'u hakmarrë ndaj sanksioneve të vendosura për pushtimin e Ukrainës.

be nato gjermani republika çeke

Sondazh

Poll