Politike

Çështja Babale/ Shtyhet seanca ndaj Ervin Salianjit, shkak mungesa e avokatit dhe deputetit

Deputeti Salianji dhe avokati i tij, Ledio Braho nuk janë paraqitur në gjykatë për seancën. Avokati i kishte bërë kërkesë gjykatës për shtyrje të seancës.

24 Prill 2024, 10:34 Nga r.ll
Çështja Babale/ Shtyhet seanca ndaj Ervin Salianjit, shkak mungesa e
ervin salianji

TIRANË- Është shtyrë seanca në gjykatën e Apelit për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianjin lidhur me çështjen Babale.

Deputeti Salianji dhe avokati i tij, Ledio Braho nuk janë paraqitur në gjykatë për seancën. Avokati i kishte bërë kërkesë gjykatës për shtyrje të seancës.

“Nuk mund të jem i pranishëm për arsye shëndetësore”, ka deklaruar ai. Në këto kushte, prokurori vendosi që seanca e radhës të mbahet me datë 8 Maj në orën 10:00.

Çfarë është dosja “Babale”?

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”.

Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvani) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.

Gjykata Penale dënoi me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në lidhje me dosjen “Babalja”. Bashkë me Salianjin u dënuan edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje. Fredi Alizoti, (i njohur si kunati i Babales), u dënua me 2 vite burg për kallëzim të rremë, Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si “Babalja” u dënua me 3 vite e 5 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 5 muaj burg, që iu konvertua në 100 orë punë në komunitet.

ervin salianji ceshtja babale ledio braho

Sondazh

Poll