Bota

Shfaqet një herë në 71 vite, "Kometa e Djallit" duket në qiellin australian

Kometa, 12P/Pons-Brooks njihet me emrin kometa e Djallit sepse shpërthimet nga bërthama e saj mund ta bëjnë atë të duket sikur ka dy brirë. 

19 Prill 2024, 09:47 Nga N.F
Shfaqet një herë në 71 vite, "Kometa e Djallit" duket
"Kometa e Djallit"

AUSTRALI- "Kometa e Djallit" e gjelbër tani është e dukshme në qiejt australianë, duke ofruar një shans një herë në jetë për të parë një fenomen unik qiellor. Kometa, 12P/Pons-Brooks njihet me emrin kometa e Djallit sepse shpërthimet nga bërthama e saj mund ta bëjnë atë të duket sikur ka dy brirë. 

Kometa, bërthama e së cilës ka një diametër prej 34 km, është krahasuar me kometën e Halley, sepse ajo kalon pranë Tokës çdo 71 vjet. Ajo gjithashtu ka një nuancë jeshile falë strukturës së saj molekulare. Kometa e Halley shfaqet çdo 76 vjet dhe për herë të fundit ishte e dukshme në vitin 1986, kur astronomët amatorë u dyndën jashtë natën për ta parë atë. Shpesh quhet kometa më e famshme sepse, sipas NASA-s, shënoi herën e parë që astronomët kuptuan se kometat mund të ishin vizitorë të përsëritur në qiellin tonë të natës.

Brad Tucker, një astrofizikan në Universitetin Kombëtar Australian, tha se ndërsa kometa e Djallit është teknikisht e dukshme tani, është e vështirë të dallohet – por do të bëhet më e qartë gjatë javës së ardhshme.

Shfaqet një herë në 71 vite, "Kometa e Djallit" duket
Kometa

"Është vërtet e ulët në qiell, por është disi pranë Jupiterit, kështu që nëse mund ta shihni Jupiterin të vendosur në qiellin perëndimor, kometa është afër," u shpreh ai.

Ndërsa afrohet me diellin bërthama e akullt dhe gjurmët e gazit bëhen më të nxehtë, duke e bërë atë më të dukshme. Ajo do të jetë në kulmin e saj më të ndritshëm më 22 prill, pak mbi horizont, por Tucker thotë se do të jetë si "një lojë mace dhe miu" për ta gjetur atë, sepse deri atëherë do të konkurrojë me një hënë të plotë.

Sipas NASA-s, njerëzit dikur i perceptonin kometat si yje që shfaqeshin në qiell të paparalajmëruar dhe në mënyrë të paparashikueshme". Tani dihet se ato janë "të mbetura" nga formimi i sistemit diellor miliarda vjet më parë. Ato përbëhen nga akulli dhe papastërtia dhe nganjëherë quhen "topa bore të pista".

 

australi

Sondazh

Poll