Bota

SHBA shkatërron një raketë të rebelëve Houthi në Detin e Kuq

Që nga mesi i nëntorit, rebelët jemenas, pjesë e të ashtuquajturit "bosht i rezistencës", një aleancë e lirshme pranë Iranit, kanë nisur sulme kundër anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, korsi detare me rëndësi të madhe për tregtinë globale

12 Prill 2024, 08:08 Nga N.F
 
SHBA shkatërron një raketë të rebelëve Houthi në
Foto ilustruese

JEMEN- Forcat e armatosura amerikane njoftuan se shkatërruan një raketë balistike anti-anije (ASBM) mbi Detin e Kuq që ishte lëshuar nga një zonë e Jemenit e kontrolluar nga rebelët Houthi.

"Nuk u raportuan lëndime ose dëmtime në anijet e SHBA (Marinës), anijet e koalicionit ose anijet tregtare," njoftoi me anë të "X" komanda e përbashkët e forcave të armatosura amerikane përgjegjëse për rajonin e Lindjes së Mesme.

Që nga mesi i nëntorit, rebelët jemenas, pjesë e të ashtuquajturit "bosht i rezistencës", një aleancë e lirshme pranë Iranit, kanë nisur sulme kundër anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, korsi detare me rëndësi të madhe për tregtinë globale. Fillimisht ata kishin në shënjestër anijet që ata besonin se ishin të lidhura me Izraelin - tani ata i konsiderojnë gjithashtu anijet e aleatëve të tij, veçanërisht SHBA dhe Britani - si një shenjë mbështetjeje për palestinezët në Rripin e Gazës, një enklavë që bombardohet dhe rrethohet nga Ushtria izraelite nga 7 tetori.

Sulmet e tyre kanë detyruar kompanitë e mëdha të transportit detar të pezullojnë shërbimet në rajonin e rëndësishëm strategjik, ku 12% deri në 15% e tregtisë botërore kalonte përpara luftës, dhe kanë rritur kostot e transportit pasi anijet tani janë të detyruara të lëvizin rreth kontinentit afrikan.

Si hakmarrje, SHBA dhe Britania kanë kryer bastisje kundër pozicioneve dhe sistemeve të armëve të Houthi në Jemen që nga janari ndërsa, që nga dhjetori, Uashingtoni ka formuar një formacion detar për të "mbrojtur" anijet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, sulmet Houthi nuk ndalen.

shba houthi jemen rakete

Sondazh

Poll