Bota

Sulmet ruse me dronë në Harkiv, 6 të vdekur, 10 të plagosur

Policia ukrainase tha se sulmi u krye me dronë. Ajo publikoi pamje të zjarrit të shkaktuar nga sulmi në rrugë pranë një ndërtese banimi.

6 Prill 2024, 10:36 Nga M.B
Sulmet ruse me dronë në Harkiv, 6 të vdekur, 10 të plagosur
Foto ilustruese

UKRAINA- Gjashtë civilë janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur të shtunën në mëngjes, si pasojë e një sulmi rus në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, njoftuan zyrtarët rajonalë. Policia ukrainase tha se sulmi u krye me dronë. Ajo publikoi pamje të zjarrit të shkaktuar nga sulmi në rrugë pranë një ndërtese banimi.

“Mëngjesin e sotëm u vranë gjashtë persona dhe u plagosën 10 të tjerë, si pasojë e një sulmi natën në rrethinën Shevçenskivski”, tha në Telegram kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov.

Ai tha se nga ky sulm u goditën zonat e banimit, duke shtuar se “së paku nëntë ndërtesa të larta, tre konvikte, një numër i ndërtesave administrative, një dyqan, një pompë e benzinës dhe vetura u dëmtuan”. Raportohet se sulmi ndodhi pas mesnatës. Ushtria ukrainase tha se kundërajrorët e saj i shkatërruan 28 prej 32 dronëve dhe tre prej gjashtë raketave të shkrepura nga Rusia.

Harkivi, në verilindje të Ukrainës, është sulmuar shpesh nga Rusia dhe sulmet u rritën në javët e fundit. Të mërkurën u vranë katër persona si pasojë e një sulmi me dronë dhe u dëmtuan rëndë blloqe banesash.Shefi i zyrës së presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, tha për Politico të enjten se mendon se Harkivi është shënjestra më e mundshme e një ofensive të mundshme ruse në maj apo qershor.

Governatori rajonal i Harkivit, Oleh Synehubov, raportoi për një sulm në një ndërtesë banimi dhe për një sulm raketor në një fshat në veri të Harkivit. Nuk u raportua për viktima në asnjërin prej këtyre incidenteve. Në Harkiv dhe në shumicën e vendit, përfshirë në kryeqytet Kiev, u lëshuan sirena për disa orë, pas sulmeve të shtunën herët./ REL

lufta rusi-ukraine

Sondazh

Poll