Sport

VIDEO/ Inter Miami “mbytet në shi”, pa Leo Messin në “Red Bull Arena”...

Skuadra nga Miami humbi 4-0 ndaj New York Red Bulls

24 Mars 2024, 08:30 Nga DOSJA

VIDEO/ Inter Miami “mbytet në shi”, pa Leo Messin në

SHBA - Pa Lionel Messin për shkak të dëmtimit, Inter Miami u mposht brutalisht 4-0, të shtunë kundër New York Red Bulls, në një ndeshje të MLS-së të shënuar nga shiu intensiv që ra në “Red Bull Arena”.

Lewis Morgan, ish-lojtar i Inter Majamit, me një “hat trick” të shkëlqyer dhe venezueliani Wiki Carmona, shënuan në përmbytjen që u përjetua në Harrison, qyteti i Nju Xhersit, ku Red Bulls luan ndeshjet e tij.

Figura tjetër e kësaj pasditeje të paharrueshme për Red Bulls ishte Dante Vanzeir, i shkëlqyer me katër asistime për katër golat e ekipit të tij.

Mungesa e Messit, për shkak të mbingarkesës muskulore, ishte edhe një herë një barrë shumë e rëndë për skuadrën rozë, e cila ka pësuar dy humbje këtë sezon dhe të dyja kanë ndodhur pa gjeniun e Rosarios në fushë.

Tifozët e Nju Jorkut patën fatin vitin e kaluar të përjetojnë debutimin e Messit në MLS, lojë në të cilën ai hyri si zëvendësues në pjesën e dytë dhe shënoi golin e dytë në fitoren 0-2 kundër Red Bulls.

Këtë vit, megjithatë, programi i tyre doli kundër tyre, pasi Messi nuk do të kishte luajtur në këtë ndeshje edhe nëse nuk do të ishte i dëmtuar, sepse do të kishte udhëtuar me skuadrën e Argjentinës.

Përveç Messit, Gerardo Martino pati një listë të gjatë mungesash në dritaren e FIFA-s: Drake Callender (SHBA), David Ruiz (Honduras), Diego Gómez (Paraguaj), Federico Redondo (Argjentinë nën 23 vjeç), etj.

Me këtë panoramë, trajneri argjentinas e nisi me gjithçka që kishte në dispozicion, tre qendërmbrojtës me të gjithë krahët për Alba dhe Taylor dhe Luis Suarez dhe Leonadro Campana në pikën e sulmit.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll