Bota

Marrëveshja e Ohrit, Osmani: Serbia është ajo që e ka shkelur me dhjetëra herë, duhet trajtim i barabartë i dy palëve

Osmani u shpreh se mendon që mjafton të lexohet marrëveshja dhe aneksi i Ohrit dhe të shikohen veprimet e palëve në teren për të ardhur tek një përfundim komplet objektiv.

18 Mars 2024, 14:09 Nga N.F
Marrëveshja e Ohrit, Osmani: Serbia është ajo që e ka
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për Marrëveshjen e Ohrit të arritur një vit më parë mes Kosovës dhe Serbisë. Osmani u shpreh se mendon që mjafton të lexohet marrëveshja dhe aneksi i Ohrit dhe të shikohen veprimet e palëve në teren për të ardhur tek një përfundim komplet objektiv.

“Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje që qartë i kërkon të mos shkel integritetin territorial të Kosovës, që ta njeh subjektivitetin ndërkombëtar, mos të votoj kundër Kosovës për anëtarësi në organizata ndërkombëtare, mos të përdorë dhunë në relacionet shtetërore e shumë e shumë të tjera”, ka thënë Osmani.

Osmani u shpreh se është tejet e qartë se cila është pala që i shkel marrëveshjet e veta.

“Ajo që është dashur të ndodhte në këtë periudhë dhe që nuk ka ndodhur që do ta lehtësonte zbatimin e plotë dhe të pa kushtëzuar të kësaj marrëveshje, është mungesa e një plani të zbatimit që ende po hartohet në Bruksel. Unë si Presidente e Kosovës kam qenë kundër një plani që më është prezantuar nga ndërmjetësi sepse ka paraparë që shumica e përfitimeve që ka Serbia nga ky plan të jenë në fillim të zbatimit kurse ato të Kosovës të vijnë në fund, pra nuk ka pasur balancë”, tha Osmani.

“Kërkoj të ketë trajtim të barabartë të palëve, dhe që Kosova e Serbia të zbatojnë në mënyrë paralele obligimet e tyre, e jo që njëra palë ti ketë përfitimet në fillim e pastaj për Kosovën të mendohet krejt në fund”, shtoi ajo. 

osmani marreveshja e ohrit serbia kosova

Sondazh

Poll