Politike

GJKKO e dënoi me dy vite burg/ "Seanca e sotme ishte parodi", Beleri: Krimi i kryer nga unë është se u zgjodha kryetar bashkie

Beleri thotë se do të vazhdojë përpjekjet për Drejtësi dhe Demokraci dhe se ka aq durim sa për ta çuar deri në fund çështjen.

5 Mars 2024, 18:53 Nga r.ll
GJKKO e dënoi me dy vite burg/ "Seanca e sotme ishte parodi",
fredi beleri

TIRANË-Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka reaguar pasi GJKKO e dënoi me dy vite burg. Në deklaratën e tij ai shprehet se seanca e sotme ishte një parodi. 

Ai shprehet se dënimi i tij u dha duke mos pasur mundësi as të komunikonte me avokatin e tij. Beleri thotë se do të vazhdojë përpjekjet për Drejtësi dhe Demokraci dhe se ka aq durim sa për ta çuar deri në fund çështjen.

DEKLARATA E BELERIT

Seanca e sotme ishte një parodi. Me dëshmi penaliteti të falsifikuar, pa prova, pa asnjë dëshmitar tjetër veç atij të paguar nga policia, me gjyqtare “të emëruar”, brenda një kafazi prej xhami, duke mos patur mundësinë e komunikimit me avokatin, sot, gjykata shqiptare më dënoi me dy vite burgim.

Krimi që kam kryer është se ne, himariotët, kërkojmë të jemi zotër të tokave tona stërgjyshore. Krimi i kryer nga unë është se bashkëqytetarët e mi himariotë më zgjodhën kryetar bashkie, duke dalë kundër planeve të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

SHBA dhe BE, kjo është drejtësia që ju dëshironi për ne? Gjyqtarëve po u lë komentet e popullit shqiptar.

Unë do të vazhdoj përpjekjet e mia për Drejtësi dhe Demokraci, në emër të bashkëqytetarëve të mi. Herët a vonë, unë do ta gjej drejtësinë. Kam aq durim sa duhet për ta çuar deri në fund këtë çështje.

Gjykata e Posaçme ka shpallur sot fajtor Belerin dhe e ka dënuar me 2 vite burg. Kujtojmë se Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi akuzohet se u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Ai u arrestua para votimeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe për rrjedhojë nuk ka mundur të betohet pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga qelia.

fredi beleri

Sondazh

Poll