Politike

Berisha: Vendimi i GJL ndaj Qynos është goditje vdekjeprurëse për median e lirë

Ai e cilësoi vendimin e gjykatës si një goditje vdekjeprurëse për informacionin e lirë, për mendimin e lirë në Shqipëri.nd

24 Shkurt 2024, 19:25 Nga r.ll
Berisha: Vendimi i GJL ndaj Qynos është goditje vdekjeprurëse
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati, Sali Berisha i është rikthyer sërish vendimit të Gjykatës së Lartë ndaj gazetarit Elton Qyno, ku kontrolli i banesës, zyrës dhe kontrolli fizik u cilësuan të ligjshme.

Sipas Berishës, Rama u ka vërsulur gjykatësve Altin Dumanin, që ata të ndryshonin vendimin e marrë. Ai e cilësoi vendimin e gjykatës si një goditje vdekjeprurëse për informacionin e lirë, për mendimin e lirë në Shqipëri.

PJESË NGA FJALA E BERISHËS:

Të dashur miq, Edi Rama ka krijuar, ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij. Me një pengmarrje të pashembullt të institucioneve.

Dje, Gjykata e Lartë, në kundërshtim flagrant me vendimin e para një viti, vendosi të detyrojë gazetarët të zbulojnë burimin e informacionit, në një akt shkelje flagrante të lirisë së shprehjes. Po këta gjykatës, miqtë e mi, një vit më parë, pas vendimit të Strasburgut për Lapsin, kishin vendosur po këta, se gazetarëve nuk mund t’u kërkohen burimet e informacionit.

Çfarë ndodhi? Edi Rama përdori pengmarrjen. Edi Rama, siç shkruajnë mediat sot, vërsuli Dumanin kundër tyre.
Dhe Dumani i kërcënoi ata për krimin e tij të shëmtuar, sepse dosjen e Nuredin Dumanit e ka shitur Skapi i partisë nga sirtarët e Altin Dumanit. Por miqtë e mi, vendimi i gjykatës është një goditje vdekjeprurëse për informacionin e lirë, për mendimin e lirë në Shqipëri.

Shënon aktin, përshkallëzimin më dramatik në dhunimin e lirive të shqiptarëve. Ndaj dhe bëhet çdo ditë më imperative përballja me diktaturën. Me narkoregjimin. Sot kemi përpara Edi Ramën, kreun e krimit të organizuar, kreun e korrupsionit qeveritar, kreun e dhunës mbi opozitën, dhe veglat e tij, një llum njerëzor në gjykata, prokurori, Skap e me radhë. Urdhëroni, një vit më parë vendosin se gazetarëve nuk mund t’u kërkohet burimi.

Pas një viti, nën hanxharë, vendosin të kundërtën. Shikoni gjykatën e Edi Ramës, prokurorinë e partisë, këta janë rrezik për çdo qytetar, janë rrezik për mbarë Shqipërinë. Sot përpara ne kemi murin e tmerrshëm të korrupsionit që përzë shqiptarët çdo ditë. Edi Rama, me të gjithë fuqinë e ekzekutivit, firmos dhe vjedh qindra milionë e miliarda dhe mbrohet nga Skapi i partisë.
Çdo ditë që kalon në pushtet është ndëshkim për shqiptarët, është ndëshkim për Shqipërinë.

sali berisha

Sondazh

Poll