Ekonomi

Qeveria rishikon buxhetin 2024, rritet plani i të ardhurave me 1,7%, ulet deficiti

Burimet nga dikasteri i financave pohuan se me ndryshimet e fundit plani i të ardhurave arrin në 686,7 miliardë lekë ose 1.7 për qind më shumë se plani fillestar. Gjithashtu edhe shpenzimet publike do të arrijnë në 744 miliardë lekë me një rritje 0,9% nga buxheti aktual.

22 Shkurt 2024, 07:43 Nga M.B
Qeveria rishikon buxhetin 2024, rritet plani i të ardhurave me 1,7%, ulet
Foto ilustruese

TIRANA- Ministria e Financave po bën gati ndryshimet në buxhetin e 2024 me qëllim ndryshimin e planit të ardhurave e për rrjedhojë edhe i shpenzimeve dhe deficitit. Burimet nga dikasteri i financave pohuan se me ndryshimet e fundit plani i të ardhurave arrin në 686,7 miliardë lekë ose 1.7 për qind më shumë se plani fillestar. Gjithashtu edhe shpenzimet publike do të arrijnë në 744 miliardë lekë me një rritje 0,9% nga buxheti aktual. Deficiti me ndryshimet e fundit arrin në 56,3 miliardë lekë nga më shumë se 61 miliardë që ishte parashikimi në buxhetin fillestar. Sipas të njëjtave burime ndryshimet u bënë për të akomoduar të ardhurat shtesë që u arkëtuan në dy muajt e parë të vitit. Të ardhurat buxhetore në janar -shkurt ishin më të larta se plani. Duke marrë në konsideratë që aktiviteti ekonomik do të përshpejtohet me afrimin e verës nga sezoni turistik pritet që të ardhurat të rriten me tej. Këto të dhëna kanë shtyrë qeverinë që të hartojë një buxhet suplementar që në muajin e dytë të vitit. Siç shihet nga ndryshimet të ardhurat shtesë pak më shumë se 50% shkojnë për rritjen e shpenzimeve dhe pjesa tjetër shkon për ulen e borxhit.

Me këto ndryshime Ministria e Financave pret të çojë rezultatin e të ardhurave buxhetore ne mbi 28 % të PBB në vitin 2023, një rekord historik në vitet e tranzicionit. Vitin e kaluar gjithashtu qeveria ka rishikuar me rritje planin e të ardhurave, një pjesë e të cilave shkuan për uljen e borxhit. Vitin që shkoi detyrimet publike arritën në 59,2% e PBB rezultati më i ulët që nga viti 2008. Rezultatet fiskale në të ardhura po i krijojnë qeverisë komoditet për të azhurnuar disa politika në krahun e shpenzimeve. Vitet e fundit sidomos pas panemisë të ardhurat buxhetore janë ndihmuar nga rritja ekonomike, por qeveria ka pasur vështirësi të zbatojë planin e shpenzimeve publike. Edhe vitin e kaluar gati 20 për qind e buxhetit u ekzekutua gjatë muajit dhjetor dhe 38 për qind e zërit të shpenzimeve kapitale u dhanë në këtë muaj. Shpenzimet publike edhe pse janë rritur nuk po japin kontributin që u takon në rritjen ekonomike pasi në disa objekte të rëndësishme të infrastrukturës në vend punime po vijojnë për dekada dhe veprat ende nuk janë vënë në funksion./ Monitor

buxheti 2024

Sondazh

Poll