Ekonomi

Veprimet bankare nëpërmjet internetit u rritën me 22% vitin e kaluar

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 7.67 milionë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

19 Shkurt 2024, 14:20 Nga M.B
Veprimet bankare nëpërmjet internetit u rritën me 22% vitin e
Foto ilustruese

TIRANA- Përdorimi i pagesave bankare në distance (home banking) u rrit përsëri vitin e kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 7.67 milionë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22.1% ose me 1.4 milionë veprime më shumë. Që prej vitit 2019, numri i transaksioneve të home banking është rritur me pothuajse 120%. Kufizimet e lidhura me pandeminë sollën një vëmendje më të madhe drejt mundësive të pagesave në distancë që ofron sektori bankar në vend. Tendenca rritëse veprimeve nëpërmjet kanaleve dixhitale ka vijuar e qëndrueshme në të gjithë periudhën pas pandemisë. Veprimet bankare në distancë janë transaksionet bankare që kryhen nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve në telefonat celularë. Rritja e përdorimit të shërbimeve të bankingut në distancë është akoma më e lartë në vlerë monetare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2023 volumi total i transaksioneve arriti në dy trilionë lekë, në rritje me 28.1% krahasuar me një vit më parë. Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri dhe numri i përdoruesve të shërbimit po rritet me ritme të shpejtë. Në fund të vitit 2023, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në në pothuajse 1.1 milionë mijë, në rritje vjetore me pothuajse 25%. Vlerësohet se tashmë 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 28.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2022. Më shumë se 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Megjithatë, rritja më e madhe e llogarive të lidhura me internet vitin e kaluar u shënua në segmentin e bizneseve, me 25% më shumë krahasuar me një vit më parë. Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave tashmë mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë më nevoja për të shkuar fizikisht në bankë.

Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet masave rregullatore. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision. Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave./ Monitor

banka ekonomi

Sondazh

Poll