Ekonomi

Obligacioni i parë privat, volumi i tregtimit arriti në 31 milionë lekë

Që nga muaji gusht deri në fund të vitit 2023, në Bursën ALSE u tregtuan gjithsej 60 obligacioneve të NOA, për një shumë totale prej 30.8 milionë lekësh. Shuma e tregtuar përbën pak më shumë se 6% të vlerës totale të emetimit të obligacioneve nga NOA.

17 Shkurt 2024, 08:21 Nga I.A
Obligacioni i parë privat, volumi i tregtimit arriti në 31
Foto Ilustruese

TIRANË- Vitin e kaluar, institucioni financiar NOA u bë i pari subjekt privat që realizoi një ofertë publike të titujve dhe i listoi ato në një treg të letrave me vlerë. Të dhënat statistikore të publikuara nga Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE, tregojnë se vitin e kaluar, tregtimi dytësor i obligacionit korporativ të NOA ka regjistruar vlera të konsiderueshme, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për instrumentin e parë të këtij lloji.

Që nga muaji gusht deri në fund të vitit 2023, në Bursën ALSE u tregtuan gjithsej 60 obligacioneve të NOA, për një shumë totale prej 30.8 milionë lekësh. Shuma e tregtuar përbën pak më shumë se 6% të vlerës totale të emetimit të obligacioneve nga NOA.

Çmimi i tregtimit u luhat në intervalin midis 101.95% dhe 103.4% të vlerës nominale të obligacionit. Kjo tregon se investitorët e kanë shitur titullin me fitim, duke marrë një çmim më të lartë se ai që kishin paguar për të.

Oferta e parë publike e titujve nga një subjekt privat në Shqipëri u hap më datë 24 maj 2023 dhe u mbyll më 21 qershor 2023. Shuma totale e nënshkruar e obligacionit ishte 500 milionë lekë. Obligacioni i NOA ka afat maturimi 5-vjeçar dhe një kupon fiks prej 8%.

Tregtimi i deritanishëm është realizuar me çmim sipër vlerës nominale, që nënkupton një yield më të ulët se kuponi fiks prej 8% që paguan emetuesi. Ulja e yield-it është një zhvillim pozitiv për subjektin emetues, sepse, në një këndvështrim të përgjithshëm, tregon besim nga investitorët.

Nga ana tjetër, rënia e yield-it mund të jetë ndikuar edhe nga zhvillimet në tregun financiar vendas vitin e kaluar. Në përgjithësi, yield-et e instrumenteve alternative, obligacioneve qeveritare, pësuan rënie të ndjeshme nga nivelet e gjysmës së dytë të vitit 2022.

Në një mjedis të tillë, një titull me kupon prej 8%, është bërë më tërheqës për investitorët. Për krahasim, në ankandin e dhjetorit 2023, obligacionet 5-vjeçare të qeverisë shqiptare u emetuan me një yield prej 5.65, që ishte njëkohësisht yield-i më i lartë që prej muajit janar 2023.

Ndërkohë, yield-i më i ulët me të cilin u tregtua obligacioni i NOA vitin e kaluar ishte mbi 7.7%. Megjithëse bëhet fjalë për një instrument me rrezik më të lartë krahasuar me obligacionet qeveritare, një yield i tillë është padyshim konkurrues për investitorët që synojnë kthime më të larta nga investimi.

Të dhënat e deritanishme të tregtimit të obligacionit të parë në Bursë mund të jenë inkurajuese për të tërhequr edhe kompani të tjera private në të njëjtën rrugë.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vlera e obligacioneve private të shoqërive tregtare (e llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer), arriti në 13.89 miliardë lekë në mesin e vitit të kaluar, në rritje vjetore me 12.3%.

Nëse llogarisim edhe obligacionin prej 500 milionë lekësh të institucionit financiar NOA, vlera e përgjithshme e obligacioneve të shoqërive tregtare (me ofertë private dhe me ofertë publike) rezultonte afërsisht 14.4 miliardë lekë.

Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, emetimet janë rritur ndjeshëm, kryesisht nga bankat tregtare, që kanë mbuluar me instrumente të borxhit të varur kërkesat rregullatore shtesë për kapital nga Banka e Shqipërisë.

Marrë nga Monitor.al

noa alse

Sondazh

Poll